Ndotja akustike vijon të jetë një problem shqetësues për shumë zona të Tiranës. “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e publikuara nga Bashkia e Tiranës mbi ndotjen akustike në disa zona reference, gjate ditës dhë natës për vitin 2019, për të kuptuar se sa është ndotja mbi normën e pranuar dhe se cilat zona janë më të zhurmshme. Ajo që bie në sy nga përpunimi i të dhënave është se zona e Bllokut, e cila pritej të kishte më shumë ndotje akustike se të tjerat, qëndron në fund të renditjes. Zona më e zhurmshme është “Rruga e Elbasanit” me 72.59 decibel dhe zona përreth “Partizanit të Panjohur” me 71.45 decibel, ndërkohë që norma e pranuar gjatë ditës është 55 decibel. Burimi kryesor i zhurmës në këto dy zona mund të jetë qarkullimi i lartë i automjeteve, por edhe fakti që janë zona me shumë kalimtarë, duke marrë në konsideratë se “Rruga e Elbasanit” gjatë ditë është një zonë që frekuentohet nga një numër i madh studentësh. Zonat me nivelin më të ulët të ndotjes akustike gjatë ditës janë zonat pranë Shkollës “Edit Durham” me 60.95 dB, “Shkollës së Bashkuar” me 61.7 dB , “Farmacia 10” me 63.93 dB dhe “Blloku” me 64.22 dB. Edhe pse këto zona kanë ndotjen më të ulët krahasuar me të tjerat, përseri ato janë shumë lart normës së pranuar.
“Lapraka” dhe “Kryqëzimi i 21 Dhjetorit” janë zonat më të zhurmshme gjatë natës, përkatësisht me 62 dB dhe 69.99 dB, ndërkohë që norma e pranuar gjatë natës, sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, është 45 dB. Sa i përket zonave që kanë regjistuar ndotjen më të ulët akustike gjatë natës janë “Selvia” me 52.27 dhe “Drejtoria e Policisë” me 54.42 dB.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments