Studime

Biznesi i elektroshtëpiakeve/ Shqiptarët shpenzojnë 105 mln euro në vit në 4 kompanitë më të mëdha

0

“Scan Intelligence Unit” vijon sërish me analizën e tregjeve. Këtë herë në fokus vjen performanca financiare e kompanive të cilat operojnë në fushën e elektroshtëpiakeve. Kjo analizë nuk shtrihet vetëm për vitin pandemik dhe ndikimin e saj në të ardhurat dhe fitimet, por gjithashtu edhe përgjatë pesë viteve të fundit. Të dhënat janë marrë nga “Qendra Kombëtare e Biznesit”, për katër kompanitë kryesore të elektroshtëpiakeve, të cilat operojnë në treg si rrjet: “AZA electronic”, “GLOBE”, “GoTech” dhe “NEPTUN”. Së pari lë të shohim ndikimin e pandemisë në këtë treg, duke u nisur nga performanca financiare e kompanive për vitin 2020, krahasuar me vitin 2019. Për vitin 2020, “NEPTUN”, gjeneron të ardhurat më të larta, të cilat arrijnë në rreth 7 mld lekë ose e përkyer në valutë 57.8 mln euro. Në renditje ndjek “GLOBE” me 2.2 mld lekë xhiro vjetore, për vitin 2020, dhe “AZA electronic” me 2 mld lekë. I fundit në renditje pozicionohet “GoTech” me 1.5 mld lekë. Nëse do ta krahasonim me vitin 2019-të, për të parë ndikimin e pandemisë në këtë treg sa i përket të ardhurave, shohim se përveç “AZA electronic”, i cili ka pësuar rënie të të ardhurave me 1.8%, të tjerët kanë pësuar rritje. Rritjen më të madhe të të ardhurave e regjistron “GoTech” me 15.7%. Në total, përgjatë të gjithë vitit 2020, totali i të ardhurave nga këto kompani, fiksohet në rreth 12.8 miliardë Lekë, ose rreth 105 milionë euro. Pra, kaq është shuma që shqiptarët shpenzojnë në vit për elektroshtpiake dhe pajisje hi-tech në 4 rrjetet më të mëdha në vend.

Po nëse marrim fitimet neto të këtyre kompanive, si paraqiten të dhënat për vitin 2020? Nga bilancet e analizuara nga “Scan Intelligence Unit”, shihet se për vitin 2020 është “NEPTUN” kompania e elektroshtëpiakeve që llogarit fitimet më të larta, me 209 mln lekë ose 1,7 mln euro. Në renditje ndjek “GoTech” me 119 mln lekë dhe “AZA electronic” me 71 mln lekë. “GLOBE” është i fundit sa i përket fitimeve të gjeneruara për vitin 2020, me 25 mln lekë. Po të krahasojmë të dhënat e fitimeve me vitin 2019-të, shohim se “NEPTUN” dhe “GLOBE” kanë pësuar rënie të fitimit me 24.5% dhe 39.5% respektivisht. Rritje të fitimeve kanë pësuar “GoTech” dhe “AZA electronic”, ku rritjen më të madhe të fitimeve e regjistron “AZA Electronic”, me 64.7%.

“Scan Intelligence Unit” ka marrë në analizë të ardhurat dhe fitimet neto nga viti 2016 deri në vitin 2020. Nisur nga këto të dhëna është llogaritur totali i fitimeve për pesë vitet e marra në studim. Totali i fitmeve për të katër kompanitë kryesore të marra bashkë, për pesë vite, kap shifrën e 2 miliard lekëve ose e shprehur në valutë rreth 17 mln euro.

Le ta kalojmë fokusin e analizës të performancës së këtyre kompanive ndër vite. Nga të dhënat del se është “NEPTUN” ai që ka gjeneruar të ardhurat më të larta që nga viti 2016 deri në vitin 2020. “GLOBE” është i dyti në radhë me të ardhurat më të larta për pesë vitet e marra në studim, ndërsa “GoTech” është kompania me të ardhurat më të ulta të regjistruara.

Nga ana tjetër, po të flasim për fitimet e këtyre kompanive, të shtrira në pesë vite, vemë re se gati të gjitha kanë dalë me fitim, përveç “GLOBE”, që ka regjistruar humbje gjatë vitit 2016-të me 531 mijë lekë. “NEPTUN” është përsëri kompania e elektroshtëpiakeve që regjistron fitimet më të larta për të gjitha vitet ne krahasim me kompanitë e tjera. Gjithashtu, “NEPTUN”, ka arritur fitimet më të larta se të tjerët gjatë vitit 2017-të, me 339 mln lekë, ose 2.8 mln euro. Pas “NEPTUN”, dy kompanitë e tjera që regjistrojnë fitime të larta janë “GoTech” në vitin 2020 me 119 mln lekë dhe “AZA electronic” në vitin 2017 me 135 mln lekë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rriten çmimet e prodhimit dhe ato të importit, – Me 4.3% dhe 3.3% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021

Postimi mëparshëm

Huatë me probleme zbresin në 6.35%/ Muaji i 9-të me radhë në rënie dhe niveli më i ulët në 13 vite

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.