Studime

Pensioni, 90% shkon për ushqime/ Pensionisti shqiptar mund t`ja dali vetëm për shportën bazë, në vendet e zhvilluara, norma zbret nën 20%

0

Bazuar në të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në vendin tonë për vitin 2021 fiksohet pranë rreth 13.981 lekëve. Kaq të ardhura ka në muaj një pensionist mesatar shqiptar, duke pasur parasysh edhe hendekun e madh mes pensionit urban dhe atij rural. Por, sa të mjaftueshme janë këto të ardhura në muaj për një pensionist shqiptar? “Scan Intelligence Unit” është përpjekur të bëjë një përllogaritje të përafërt të peshës që zë shporta e ushqimeve mbi pensionin mesatar. Kjo përllogaritje është bërë mbi bazën e raporteve të ndryshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministrisë së Shëndetësisë gjermane dhe asaj spanjolle sa i përket një diete ushqimore bazike të shëndetshme në muaj për një të rritur në moshën e pensionit. Kjo shportë ushqimesh mujore konsiston në: bukë, oriz, vezë, qumësht, kos, djath, mish pule dhe viçi, peshk, fruta, perime, vaj dhe miell.

Duke llogaritur të gjithë nevojën mujore të një individi të rritur në moshë pensioni, bazuar në çmimet mesatare aktuale në vendin tonë për këtë shportë ushqimesh, atëherë, totali shkon në 12.515 lekë. Në këtë shportë përfshihen vetëm produktet bazike, pra mungojnë produkte të tjera se: sheqeri, kafja, etj.

Gjithsesi, kjo shportë, bazuar në çmimet aktuale, tregon se 89.5% e pensionit mesatar të një pensionisti shqiptar shkon vetëm për ushqimet bazë të një diete të shëndetshme, duke pasur parasysh edhe moshën. Pra, rreth 90% e pensionit shkon vetëm për ushqime. Ndërkohë, 10% i mbetur, përkthehet në rreth 1500 lekë, në muaj. Por a janë të mjaftueshme këto para për të paguar ilaçet, faturat e ujit apo dritat, për të mos përmendur produkte apo shërbime të tjera ekstra? Padiskutim që jo, dhe këtu nuk lind nevoja as për të bërë llogari. Kjo do të thotë se, pensionistët shqiptarë jo vetëm që e kanë të pamundur të përballojnë nevojat e tyre bazike, por janë të detyruar edhe të heqin dorë nga një pjesë e tyre, për të arritur në fund të muajit.

Studime të ndryshme nga vendet e tjera tregojnë se, shporta bazë e ushqimeve, e njëjta me përllogaritjen tonë, për vendet më të zhvilluara të globit, si: Norvegjia, Austria, Franca, SHBA, Gjermania, Italia, Zvicra, etj, “fatura” e shportës bazë të ushqimeve zë më pak se 20% të pensionit mesatar.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi me rritje në shkurt/ 86.4% më shumë netë qëndrime në strukturat akomoduese

Postimi mëparshëm

Më pak aksidente gjatë marsit/ Bie edhe numri i të aksidentuarve, por të rinjtë vijojnë të jenë më të papërgjegjshmit në timon

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.