Financë

Bien normat e interesit të kredive/ Për individët dhe biznesin, më e theksuar rënia për blerje banese në euro

0

Gjatë majit, normat mesatare të huave të reja për blerje banese në euro kanë rënë ndjeshëm, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”. Kështu, shifrat tregojnë se norma mesatare e interesit për kredi të reja për blerje banese në monedhën e përbashkët europiane fiksohen në 2.95% gjatë majit, nga 3.9% që ishte norma mesatare e ponderuar gjatë muajit prill të këtij viti. Pra, kemi të bejmë me një rënie të ndjeshme, prej thuajse 1 pikë përqindje. Norma prej 2.95% e regjistruar në maj të këtij viti është pranë niveleve rekord minimale të regjistruara gjatë vitit të kaluar. Edhe normat e interesit në total për individët, pra jo vetëm për blerje banese regjistrojnë një rënie të ndjeshme gjatë majit, duke zbritur pranë 3.47%, nga 4.38% që ishin gjatë muajit pararendës. Rënia e ndjeshme e normave të interesit për kredi në monedhën europiane, kombinuar me zhvlerësimin rekord të euros ndaj lekut në tregun vendas, favorizon disi individët për huamarrje jo në monedhën vendase.

Sa i përket kredisë së re në lekë ndërkohë, ka pasur një tendencë të kundërt gjatë majit, krahasuar me kredinë e re në euro. Kështu, normat mesatare të interesit të kredisë së re për individët gjatë majit janë ngjitur lehtë pranë 6.96%, nga 6.83% që ishin në prill. Vetëm për blerje banese ndërkohë, normat janë ngjitur në një mesatare të ponderuar prej 3.77%, nga 3.66%. Pavarësisht kësaj, rritja duket mjaft e lehtë, dhe të dhënat sinjaliozjnë se, kushtet favorizuese të sektorit bankar për kredi të reja për blerje banese do të vijojnë të jenë një mbështetje kryesore për familjet dhe individët që planifikojnë një investim në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Krejt e kundërta ka ndodhur me normat e interesit për overdraft për individët gjatë majit, në rritje të ndjeshme në euro, dhe në rënie për ato në lekë.

Nga ana tjetër, shifrat zyrtare tregojnë se, normat mesatare të interesit të kredisë së re për bizneset gjatë majit janë regjistruar në rënie në të dyja segmentet, si në lekë ashtu edhe në euro. Në monedhën vendase, normat mesatare të interesit për kredi të re gjatë majit fiksohen pranë 5.98%, nga 6.5% që ishin gjatë prillit, dhe pranë 4.1% në euro, nga 4.42% që ishin në prill.

Në total, kreditë e reja në lekë, si për biznesin ashtu edhe për për individët kanë rënë në 6.38%, nga 6.68% që ishin gjatë muajit pararendës, ndërkohë që normat e interesit për kreditë e reja në euro kanë rënë pranë 3.93% nga 4.41% që ishin.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Azilantët në Shqipëri, vetëm nga Afganistani/ Shifrat e 2021, 98.6% Afganë, 1% Sirianë

Postimi mëparshëm

Analiza e tregut të kinemave/ Rreth 4 mln euro të ardhura, pak fitime. Pandemia “tronditi” biznesin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.