Financë

Bien investimet e huaja direkte/ “Zhduket” Greqia, rrit prezencën Holanda me Francën

0

Investimet e Huaja Direkte (IHD) gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë rënë në 229 milionë euro, tregojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Në temujorin paraardhës, atë të fundit të vitit të kaluar, fluksi i investimeve të huaja direkte fiksohej në 242 milionë euro. Në terma sezonalë, pra krahasuar me tremujorët e parë të viteve paraardhës, shifra e këtij viti është më e ulta që prej tremujorit të parë të vitit 2017, kur fiksohej pranë 184 milionë euro.

Sa i përket ndryshimit tremujor të flukseve të investimeve të huaja direkte sipas aktivitetit ekonomik, vihet re një rritje në industrinë nxjerrëse dhe atë të aktiviteteve profesionale, si dhe rënie në ndërtim, energji elektrike dhe tregti. Rënia më e madhe në vlerë nominale vihet re pikërisht në sektorin e ndërtimit, ku fluksi i investimeve të huaja direkte gjatë tremujorit të parë të vitit ka zbritur në 11 milionë euro, nga 35 milionë që ishte gjatë tremujorit paraardhës. Rritja më e madhe ndërkohë vihet re në industrinë nxjerrëse, nga 26 milionë euro, në 40 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti. Industria nxjerrëse mban kështu vendin e parë në peshë sa i përket flukseve të Investimeve të Huaja Direkte gjatë tremujorit të parë të vitit, me 18% të totalit, duke i marrë vendin e parë aktiviteteve financiare, që zbresin në vend të dytë, me 16% të totalit.

Sa i përket shteteve ndërkohë Holanda dhe Franca regjistrojnë rritjen më të madhe në vlerë nominale të flukseve të investimeve të huaja direkte në terma tremujorësh, ndërkohë që Greqia, Austria dhe Zvicra regjistrojnë rënien më të madhe. Rënia e Greqisë është drastike, nga 40 milionë euro në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, në vetëm 4 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti. Madje, në tremujorin paraardhës, Greqia ndante vendin e parë bashkë me Italinë në renditje. Tashmë nuk figuron as në 10-tëshen e parë. Ndërkohë, në temujorin e parë të këtij viti, Holanda qëndron e para, me 21% të totalit të flukseve të Investimeve të Huaja Direkte, e ndjekur nga Franca me 18% dhe Italia me 15%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rritet sasia e peshkut, por jo peshkimi/ 12.5% rritje gjatë 2020-ës, falë rezervateve

Postimi mëparshëm

Bizneset shqiptare, më optimistet në rajon,- Barometri Ballkanik i RCC: Vetëm 14% e sipërmarrësve presin të përkeqësohet situata

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.