Barometri Ekonomik

Barometri Ekonomik Scan: Më pak shqiptarë planifikojnë të kryejnë blerje të mëdha, si pronë apo automjet

0

Edicioni i tretë i Barometrit Ekonomik Scan, ashtu si dy edicionet e tjera para tij, veç Indeksit të Besimit Konsumator përfshin edhe një sërë çështjesh të tjera, të cilat lidhen drejtpërdrejtë apo edhe indirekt me konsumin. Një ndër çështjet që lidhet direkt me konsumin është edhe ai i blerjeve të mëdha. Barometri i ka analizuar blerjet e mëdha në dy pjesë. Së pari, të anketuarit janë pyetur nëse në situatën aktuale a mendojnë se është momenti i duhur për të bërë blerje të mëdha dhe së dyti çfarë lloj blerje janë të gatshëm të bëjnë në gjashtë muajt e ardhshëm.

Sa i përket pyetjes nëse në situatën aktuale ekonomike, a mendojnë se është momenti i duhur që të bëjnë blerje të mëdha shtëpiake si mobilje, pajisje elektroshtëpiake të mëdha, televizor apo pajisje të tjera elektronike, për tremujorin e tretë, 73% e të anketuarve, ose e thënë ndryshe 7 në 10 të anketuar, janë përgjigjur se nuk është momenti i duhur. Më pak se një në katër të anketuar ose e shprehur në përqindje rreth 22% e tyre, kanë zgjedhur të jenë neutral dhe 4% mendojnë se është momenti i duhur. Krahasuar me dy edicionet e mëparshme, është rritur lehtë përqindja e të anketuarve të cilët mendojnë se nuk është momenti i duhur për të bërë blerje të mëdha. Gjatë tremujorit të parë ky tregues ishte 71%, ndërsa në tremujorin e dytë paraqitet 72%.

Indeksi i besimit të konsumatorit – Situata aktuale

Nga ana tjetër, le të shohim se si kanë qenë përgjigjet e të anketuarve lidhur me planet për të bërë blerje të mëdha apo investim në 6 muajt e ardhshëm.  Nga të dhënat shohim se vetëm një pjesë e vogël e të anketuarve shprehen se kanë në plan të bëjnë blerje si pajisje shtëpiake, ose 15% e tyre, nga 19% në tremujorin paraardhës, 7% janë shpehur se kanë në plan të blejnë automjet, nga 10% në T2, dhe vetëm 5% kanë ndërmend që në gjashtë muajt e ardhshëm të blejnë shtëpi ose pronë, nga 7% në tremujorin pararendës. Ndërsa për investimet në obligacione, fonde private pensioni ose investime të tjera financiare rreth 2-4% e të anketuarve planifikojnë t’i kryejnë në 6 muajt e ardhshëm. Për blerjet e mëdha si pajisje shtëpiake, automjet apo pronë në 6 muajt e ardhshëm, vihet re një rënie e normës së atyre që e planifikojnë diçka të tillë, krahasuar me tremujorin paraardhës. Investimet në fonde private pensioni shihet se nuk kanë pësuar ndryshime.

Blerjet në 6 muajt e ardhshëm

 
Klikoni këtu për raportin e plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet tkurrin kursimet e shqiptarëve, – Barometri Ekonomik Scan: 55% nuk arrijnë të kursejnë dot, pesimist edhe për të ardhmen

Postimi mëparshëm

43% e shqiptarëve planifikojnë emigrimin, – 2% janë me valixhet gati, kanë kryer dokumentacionin

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.