Shoqata Shqiptare e Bankave ka publikuar së fundmi raportin vjetor të përgjegjësisë sociale të koorporatave për vitin 2020, ku fokusi vendoset te kontributi i sektorit bankar në 17 objektivat e zhvillimit të qendrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat e raportuara nga vetë shoqata e bankave për të kuptuar impaktin e sektorit drejt këtyre objektivave. Nga kjo analizë të dhënash rezulton se, në total gjatë vitit 2020, atë të pandemisë, sektori bankar ka kontribuar me rreth 70.8 mld lekë, ose rreth 577 milionë euro në objektivat e zhvillimit të qendrueshëm. Nga këto 17 objektiva, vetëm në njërin prej atyre, objektivin numër 6, që i referohet ujit të pastër dhe kanalizimeve, shoqata e bankave nuk raporton kontribut. Në objektivin numër 5 ndërkohë, që i referohet barazisë gjinore, regjistrohet kontributi më i madh i sektorit bankar gjatë vitit 2020, me plot 22 miliaredë lekë, i ndjekur nga objektivi numër 8, për punë dinjitoze dhe rritje ekonomike, me rreth 21.3 mld lekë. Të dy këta objektiva zënë rreth 61% të totalit. Edhe objektivi numër 2, për zero uri, si dhe ai numër 7, për energji të përballueshme, vlerësohet të kenë marrë një vëmendje të veçantë nga sektori bankar gjatë vitit 2020, si nëpërmjet financimeve ashtu edhe nëpërmjet kontributeve apo marrëveshjeve të ndryshme me institucionet shtetërore.
Por çfarë janë objektivat e zhvillimit të qendrueshëm? Organziata e Kombeve të Bashkuara ka vendosur 17 objektiva për vendet anëtare të organizatës, mes të cilave edhe Shqipëria, për të përmbushur brenda vitit 2030, për një të ardhshme më të mirë. Këto objektiva janë pjesë e një rezolute të OKB-së që prej vitit 2015, dhe çdo vit bëhen vlerësime të ndryshme sa i përket progresit drejt objektivave të secilit shtet.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments