Financë

Banka e Shqipërisë blen rreth 280 kg ar/ Muaji prill, rritet sasia e rezervës në ar për të parën herë që prej dhjetorit 2019

0

Banka e Shqipërisë gjatë prillit të këtij viti ka rritur rezervën e saj në ar, për të parën herë që prej dhjetorit të vitit 2019. Kështu, shifrat zyrtare nga institucioni, tregojnë se rezerva ndërkombëtare e institucionit në ar monetar është ngjitur pranë 100 mijë onc, nga 90 mijë onc që ishte kjo sasi gjatë muajit mars. Që prej dhjetorit të vitit 2019, e deri në mars të këtij viti, kjo sasi ka qenë e pandryshuar, pranë 90 mijë onc, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, kujtojmë se në vitin 2019, që prej muajit qershor, e deri në dhjetor, rezerva e Bankës në ar monetar u rrit ndjeshëm, thuajse duke u dyfishuar, nga 50 mijë onc, në 90 mijë onc. Gjatë 2019-ës, institucioni bleu rreth 1 ton ar në funksion të rezervës.

Por, sa janë 100 mijë onc ar monetar? Rreth 2834 kilogram ar, ose rreth 2.8 ton. Ndërkohë, rritja e rezervës së arit me 10 mijë onc gjatë prillit të këtij vitit përkthehet në 283 kilogramë.

Por, sa vlen ky ar monetar në arkat e Bankës së Shqipërisë? Rreth $185 milionë! Pavarësisht se rezerva në ar monetar e Bankës gjatë prillit është rritur me rreth 10 mijë onc, pra me rreth 11%, rritja në vlerë është ndjeshëm më e ulët, nga rreth $183 milionë gjatë marsit, në vetëm $185 milionë gjatë prillit, me vetëm 0.76%. Kjo është rrjedhiojë e drejtpërdrejtë e rënies së çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare. Në fund të muajit mars, vlera e arit në tregje fiksohej pranë rreth $1930 për onc, ndërkohë që në fund të muajit prill kjo vlerë fiksohej pranë $1860 për onc. Maji ndërkohë ka vijuar me një rënie të mëtejshme.

Pavarësisht rritjes së arit si rezervë, edhe pse në vlerë të vogël, gjatë prillit, totali i rezervës ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë ka rënë në $5.16 mld, nga $5.45 mld që ishte kjo vlerë gjatë muajit mars. Rënia fiksohet pranë 5.4% dhe është rënia më e lartë e regjistruar ndonjëherë, të paktën që prej vitit 2014, kur të dhënat janë publike.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rriten lejet e ndërtimit me 58%/ T1, Korça me rënien më të madhe, Vlora me 222% rritje

Postimi mëparshëm

Diploma vlen më shumë për femrat? 90% e të punësuarave me arsim të lartë marrin pagë, për meshkujt norma zbret në 75.7%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.