Vetëm pak ditë më parë, Organizata e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet shifrave të përditësuara të popullsisë globale jepte alarmin për vendin tonë. “Scan Intel” I analizoi gjerësisht këta indikatorë, nga ku rezulton se deri në vitin 2100, popullsia shqiptare pritet të zbresë pranë 1.1 milionë banorëve, nga rreth 2.8 milionë që është sot, ndërkohë që mosha mesatare pritet të ngjitet pranë 63 vjeç, nga rreth 37 vjeç që është sot. Krahasuar me rajonin, Shqipëria projektohet të humbasë ndjeshëm pozita, duke u kthyer bashkë me Kosovën, nga dy vendet me popullsinë më të re sot, në dy vendet me popullsinë më të plakur në 2100-tën (shiko këtu). Ky është skenari bazë, pasi skenari më pesimist flet për më pak se 600 mijë banorë në Shqipërinë e pas 80 viteve, ndërkohë që të gjithë këta elementë pritet të kenë një impakt të pashmangshëm në ekonominë e vendit. Dy janë elementët kryesorë që çojnë në projeksione të tilla pesimiste; emigrimi dhe norma e lindshmërisë.
“Scan Intel” I ka analizuar gjerësisht të dy këta indikatorë për të kuptuar tendencën e viteve të fundit dhe ilustruar me shifra përse-në e plakjes me ritme alarmante të vendit tonë.
Kështu, shifrat zyrtare, nga Instituti I Statistikave tregojnë se gjatë vitit të kaluar, atë 2021, nga vendi ynë janë larguar përfundimisht, pra si emigrant, rreth 42.048 individë, në rritje të ndjeshme krahasuar me vitin pararendës, atë të pandemisë, kur emigrantët ishin rreth 23 mijë. Këto të dhëna tregojnë se, referuar shifrave të vitit të fundit, çdo ditë nga Shqipëria largohen për një jetë më të mirë rreth 115 shqiptarë, që përkthehet në 1.5% të popullsisë së vendit aktualisht. Rreth 42 mijë shqiptarët që largohen çdo vit nga Shqipëria përfaqësojnë 3.2% të të punësuarve gjithsej, ose rreth 3% të forcës së punës. Këto përllogaritje I referohen vetëm vitit 2021, ndërkohë që në rast se do të llogarisnim mesataren vjetore të të larguarve gjatë 6 viteve të fundit, që prej vitit 2016, atëherë mund të themi se nga Shqipëria gjatë kësaj periduhe kohore janë larguar rreth 101 shqiptarë në ditë. Viti 2019 ndërkohë ka regjistruar rekordin e kësaj perudhue kohore, me rreth 43 mijë të larguar, ose përafërsisht 120 individë në ditë. Vetëm gjatë këtyre 6 viteve nga vendi ynë janë larguar rreth 220 mijë shqiptarë, të paktën referuar të dhënave të Institutit të Statistikave. Pra, shifrat janë alarmante dhe tregojnë më së miri përse Shqipëria, me këto ritme është e destinuar të tkurret dhe të plaket, aq sa të kthehet në vendin më të plakur në rajon, nga vendi me moshën më të re që ishte dikur.
Faktori tjetër që lidhet ngushtë me tkurrjen e popullsisë është padiskutim edhe lindshmëria. Indeksi sintetik I fekonditetit për vitin 2021 fiksohet pranë 1.32. Ky indeks tregon numrin e fëmijëve të gjallë të lindur nga një grua. Në mënyrë që popullsia të mos të tkurret duhet që ky indeks të jetë pranë 2.1, pra që është edhe niveli I zevendësimit të nevojshëm natyral. Thënë më thjeshtë, dy prindër, duhet patjetër të lënë dy pasardhës në mënyrë që popullsia të vijojë me të njëjtat ritme. Siç e tregon dhe shifra, Shqipëria është shumë larg nivelit të nevojshëm të zevendësimit, dhe ky nuk është një fenomoen I izoluar vetëm vitin e kaluar. Për herë të fundit, ky indeks ka qenë mbi 2, pranë nivelit të zevendësimit natyral, në vitin e largët 2003, pra thuajse 2 dekada më parë. Edhe më alarmant është fakti se që prej atehërë, indikatori ka qenë në rënie të vazhdueshme dhe progresive. Një tendencë përmirësimi është vënë re në vitet 2012-2014, por që më vonë I është rikthyer sërish trajektores në rënie, për të kulmuar me rekordin historik të vitit të kaluar, pranë 1.32. Pra, sot, një cift shqiptar në vendin tonë lind mesatarisht 1.3 fëmijë, nga 2.3 që lindte në vitin 2001, çka tregon qartë ritmet e zbrazjes dhe plakjes së popullsisë shqiptare.
Edhe emigrimi edhe lindshmëria lidhen mjaft ngushtë me ekonominë dhe kushtet ekonomiko-sociale, duke shtyrë individët, sidomos të rinjtë të largohen nga vendi për një jetë më të mirë, apo duke I frenuar të zgjerojnë familjen e tyre.
Të dy faktorët e marrë në analizë nuk përmbajnë vetëm shifra, por një projeksion të frikshëm, me Shqipërinë e dekadave të ardhshme, më shuëm se të përgjysmuar, të plakur, me forcë punëtore nën 500 mijë individë, nga rreth 1.4 milionë që është sot, çka do të rezultojë në një prodhim ekonomik ndjeshëm më të ulët, probleme të vazhdueshme me skemën e pensioneve, si pasojë e më pak të rinjve në punë që duhet të mbajnë ndjeshëm më shumë individë në moshë pensioni me kontribute, etj, etj. Të gjitha këto projeksione janë të vlefshme në modelin e sotëm ekonomik dhe social të vendit. Pa ndërhyrje emergjente në shumë drejtime, sidomos për të menaxhuar këta dy faktorë, si emigrimi dhe lindshmëria, Shqipëria e të ardhmes është e rrethuar me pikëpyetje të mëdha.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments