Sociale

Arsimi, në plan të dytë/ Shpenzimet publike në sektor, në rënie viti pas viti, 12 herë më të ulta se në vendet e zhvilluara

0

Shifrat zyrtare tregojnë një angazhim në rënie të qeverisë shqiptare në formën e shpenzimeve publike dhe të investimeve në sektorin e arsimit. “Scan Intel” I ka analizuar shifrat për të kuptuar realisht se si ka ndryshuar vëmendja e politikave publike ndaj arsimit ndër vite. Të dhënat tregojnë se në vitin 2021, shpenzimet publike për arsimin përfaqësojnë vetëm 3.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Në vitin 2014, kjo normë fiksohej pranë 3.3%. Në vitet në vijim shifra ka pësuar një rënie graduale, deri në vitin 2019, kur u rikthye më pranë shifrave të vitit 2014. Por, me pandeminë, norma i`u rikthye sërish rënies, duke zbritur pranë 3.1% në vitin 2021. Pavarësisht faktit se ndër vite janë trumbetuar disa politika publike me fokus arsimin, si librat falas, apo ndërhyrja në infrastrukturën shkollore, shifrat tregojnë krejt të kundërtën, se arsimi nuk ka marrë aspak më shumë fokus, përkundrazi, shpenzimet për sektorin kanë rënë.

Të tjera të dhëna, referuar shpenzimeve për arsimin, krahasuar me totalin e shpenzimeve publike flasin për një normë pranë 9.8% në vitin 2021, nga rreth 10.5% që ishte kjo normë në vitin 2014.

Ecuria e viteve të fundit tregon se që prej vitit 2014, deri në vitin 2019, shpenzimet për arsimin ndaj shpenzimeve totale publike janë rritur lehtë, por gradualisht, për të kulmuar pranë 11.4% në vitin 2019. Edhe në këtë rast, pandemia duket se i ka dhënë një goditje arsimit, duke e vendosur në plan të dytë. Kjo zhvendosje e fokusit ndaj një sektori mjaft të rëndësishëm ka ardhur pavarësisht faktit se pandemia e ka vendosur arsimin përballë sfidave të panjohura më parë, duke krijuar probleme të shumta. Thënë më thjeshtë, nga 10 lekë që shpenzon qeveria shqiptare, vetëm 1 lek shkon për arsimin.

Ndërkohë, nëse bëjmë një krahasim me vendet e Bashkimit Europian shohim se, Shqipëria ka shpenzimet më të ulta publike për arsimin, së bashku me Irlandën, pranë vetëm 3.1% të PBB. Mesatarja e Bashkimit Europian fiksohet pranë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që për vende si Islanda ngjitet deri në 7.7%. Pra, edhe me Europën diferencat janë të ndjeshme.

Shpenzimet Publike në Arsim janë shpenzimet e kryera nga Buxheti I Shtetit për institucionet publike që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor.

Gjatë vitit 2021, buxheti i shtetit ka shpenzuar 58.4 miliardë lekë për arsimin. Në raport me numrin e nxënësve dhe studentëve në arsimin publik, kjo shifër përkthehet në vetëm 101 mijë lekë në vit, ose rreth $864 për frymë. Kaq është shuma që qeveria shqiptare shpenzon çdo vit për një nxënës/student. Por, sa është kjo shumë në vendet më të zhvilluara? Mesatarja e vendeve të OECD fiksohet pranë $10,800 në vit, pra, 12 herë më e lartë se në vendin tonë, ndërkohë që në vende si SHBA ngjitet në $14,400 apo deri në $24,000 në Luksemburg, ose 27 herë më shumë se në Shqipëri.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa lekë në muaj tërheqin Shqiptarët nga ATM-të? BSH: 23 mld lekë gjatë Majit. Rriten pagesat pa “para në dorë”

Postimi mëparshëm

Gratë shqiptare, mbi 5 orë punë shtëpie në ditë, 38 orë në javë/ Burrat vetëm 2 orë punë të papaguar

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.