Shkollimi është padiskutim një prej elementëve më thelbësor të personalitetit dhe mirëqënies së një individi, çka në periudhë afatmesme e bënë atë të vlefshëm për shoqërinë. Këtë fakt e tregon më së miri edhe synimi më i fundit qe vendet e kontinentit të vjetër i kanë vënë vetes. Së fundmi, shtetet anëtare të BE-së kanë vendosur që deri në vitin 2030 të rrisin përqindjen e popullsisë së diplomuar në arsimin e lartë, deri në 45%.
Agjencia Europiane e Statistikave, “Eurostat” ka publikuar së fundmi një raport referuar të rinjve të grupmoshës 25-34 vjec, të cilët mbajnë ose jo një diplomë të arsimit të lartë.
Meqënëse ky raport nuk paraqet të dhënat për Shqipërinë, “Scan Intel” i`u referua publikimeve të Institutit të Statistikave për të parë se në cilat nivele është ky tregues krahasuar me vendet e Europës.
Për t’ju rikthyer të dhënave të publikuara nga INSTAT në një raport të vitit 2020, për grupmoshën 25-39 vjeç, 26,4% e djemve dhe 38,7 përqind e vajzave mbajnë një diplomë të nivelit të lartë.Mesatarisht, në Shqipëri, 32,55% e të rinjve që i përkasin grupmoshës 25-39, mbajnë një diplomë të arsimit të lartë, normë kjo ndër me të ulëtat në raport me vendet e Europës.
Përmbledhtazi, mund të themi se të rinjtë Shqiptarë, renditen të tretët nga fundi për peshën e të rinjve me arsim të lartë, pas të rinjve rumunë, me 23%, italianëve me 28%. Theksojmë se të dhënat e mësipërme për Shqipërinë të publikuara nga INSTAT, i referohen grupmoshës 25-39 vjeç, përkundrejt grupmoshës 25-34 vjec nga Eurostat për vendet e Europës, ndaj kjo bazë krahasimore eshtë e përafërt. Nga ana tjetër, të dhënat për Shqipërinë i referohen vitit 2020, ndërkohë që ato të Eurostat, vitit 2021.
Referuar të dhënave të vitit 2021, 41% e popullsisë së BE-së të moshës 25-34 vjeç ka përfunduar arsimin e lartë. Pothuajse gjysma e shteteve anëtare të BE-së kanë përmbushur tashmë objektivin e nivelit të unionit për vitin 2030 për këtë tregues: Luksemburgu, 62%, Irlanda 61,7%, Qipro 58,3% Lituania 55,6% Holanda 55,6% Belgjika 50,9%, Franca 50,3%, Suedia 49,3%, Danimarka 49,1%, Spanja 48,7%, Sllovenia 47,9%, Portugalia 47,5% dhe Letonia 45,5%.
Të dhëna të tjera tregojnë se, mesatarisht, në Shqipëri, përgjatë një viti akademik, diplomohen rreth 33,000 studentë. Përkatësisht, studentët e diplomuar në programet Bachelor përbëjnë 54,0% të të diplomuarve gjithsej, ndjekur nga programet Master me 40,8% të të diplomuarve gjithsej. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, 64,5% e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë, janë femra dhe 35% janë meshkuj.Të njejtën linjë ndjekin dhe treguesit e vendeve të Bashkimit Europian, referuar gjinive. Në programet e arsimit të lartë, 47% e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë, janë femra dhe 36% janë meshkuj. Ndërsa përqindja e meshkujve me arsim të lartë në Europë ka qenë në rritje gjatë dhjetë viteve të fundit, ritmi i rritjes ka qenë disi më i ngadaltë se sa për femrat. Si rezultat, hendeku gjinor është bërë pak më i madh me kalimin e kohës.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments