Në vijim të analizës së performancës financiare të tregjeve, “Scan Intelligence Unit” ka zgjedhur këtë herë të marrë në studim tre kompanitë e vetme të telefonisë lëvizëse në Shqipëri. Përmes kësaj analize, nisur nga të ardhurat dhe fitimet, “SIU”, synon të kuptojë se cila është kompania me më shumë peshë në treg, cila gjeneron fitimet dhe të ardhurat më të larta ndër vite dhe si ka qenë viti i pandemisë për këto kompani. Në analizë janë marrë kompanitë telefonike “ONE TELECOMMUNACATIONS”, “VODAFONE” dhe “ALBTELECOM”. Duhet theksuar se për të pakten dy prej këtyre kompanive, “Vodafone” dhe “Albtelecom” biznesi nuk është i fokusuar vetëm te telefoniza lëvizëse, por edhe te ajo fikse si dhe interneti. Kompania “VODAFONE” duket se kryeson listën e të ardhurave për vitin e pandemisë me 12.6 mld lekë, ose e konvertuar në euro rreth 103 mln euro. I dyti në renditje është “ONE”, me një vlerë të ardhurash deri në 8.4 mld lekë ose 68.8 mln euro. Në fund të kësaj renditje qëndron “ALBTELECOM’’ me nivel të ardhurash deri në 7.1 mld lekë. Nëse do të flasim për totalin e të ardhurave të gjeneruara për tri kompanitë e marra në studim, për vitin 2020, shifra tregon 28.2 mld lekë ose e thënë në valutë rreth 230 mln euro. Të dhënat e paraqitura grafikisht, krahasuar me vitin 2019, tregojnë një rënie të të ardhurave për të gjitha kompanitë e marra në studim. Rënien më të madhe në nivelin e të ardhurave e regjistron “VODAFONE” me 11.5%, ndjekur nga “ALBTELEOM” me 6.8%. Edhe pse gjatë pandemisë pritej që këto kompani të preknin nivel më të lartë xhiro vjetore krahasuar me vitin 2019-të , duke qenë se njerëzit kishin më shumë kohë për të kaluar në pajisjet celulare dhe ato që lidhen në rrjet, si pasojë e të punuarit online apo dhe shkollës online, përsëri të dhënat tregojnë se pandemia ka ndikuar negativisht edhe në këtë sektor.
Po në rast se analizojmë fitimet neto të këtyre kompanive, si paraqitet situata? Për vitin 2020, të dhënat tregojnë se “ONE” dhe “VODAFONE” kanë rezultuar me fitim, ndërsa “ALBTELECOM” regjistron humbje. Fitimi i kompanisë “ONE” shihet të jetë rritur gjatë vitit të pandemisë, krahasuar me vitin 2019, me 205%, nga 268 mln lekë, në 819 mln lekë gjatë vitit 2020. Nga ana tjetër, “VODAFONE”, ka pësuar rënie të fitimit me 93.6%, nga 1.5 mld lekë, në 98 mln lekë. Sa i përket kompanisë “ALBTELECOM” jo vetëm që rezulton me humbje gjatë 2020-ës dhe 2019-ës, por shihet që gjatë vitit të pandemisë humbja të jetë thelluar me 82%, duke arritur në vlerën e 1.1 mld lekëve, ose rreth 9 mln euro.
Nëse do të llogarisnim totalin e fitimeve për të tre kompanitë e marra në analizë nga viti 2016-të deri në vitin 2020, shohim se shifra paraqitet me minus. Totali i humbjes për të tre komapinë, për pesë vitet e marra në studim, arrin në 11.5 mld lekë, ose e shprehur në valutë 93.9 mln euro. Kompania “ONE” llogarit dhe humbjen më të madhe për pesë vite, shifër e cila ka dhe peshën më të madhe në totalin negativ të fitimeve. Humbja e kësaj kompanie për të pesë vitet regjistrohet në 8.3 mld lekë. Nga ana tjetër “ALBTELECOM” regjistron humbje me 5.5 mld lekë për pesë vitet e marra në studim. I vetmi me fitim për pesë vitet e marra në analizë është “VODAFONE” me 1.3 mld lekë.
Le ta kalojmë fokusin e analizës të performancës së këtyre kompanive ndër vite. Nga paraqitja grafike del se “VODAFONE” është kompania e cila ka gjeneruara të ardhurat më të larta që nga viti 2016-të deri në vitin 2020. Ndjek në renditje “ONE”, për të ardhur te kompania “ALBTELECOM” e cila është dhe kompania që gjeneron të ardhurat më të ulta për pesë vite.
Nga ana tjetër, po të flasim për fitimet e këtyre kompanive telefonike, të shtrira në pesë vite, vemë re se humjet më të mëdha i ka patur kompania “ONE” gjatë vitit 2017-të dhe gjatë vitit 2018-të. Kompaninë “ONE” e ndjek në renditje për nivelin më të lartë të humbjeve “ALBLETECOM”, gjatë vitit 2020, 2016-të dhe 2017-të. Fitimet më të larta shtrirë në pesë vite i regjistron “VODAFONE” në vitin 2019, me 1.5 mld lekë dhe gjatë vitit 2018-të, me 1.3 mld lekë.
Rikujtojmë se kompania hungareze “4iG” ka arritur marrëveshjen për blerjen e rreth 80% të aksioneve të “Albtelecom” dhe 100% të aksioneve të “One”, çka do të thotë se tregu, pasi aprovimit të marrëveshjeve nga autoritetet mbikqyrëse, do të përqëndrohet në dy kompani.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments