Sociale

Aksidentet me rënie edhe në prill/ Regjistrohen 11.5% më pak; Durrësi, Kukësi dhe Vlora të vetmet me rritje

0

Edhe muaji prill ashtu si tremujori i parë i vitit 2022, sinjalizon rënie të numrit të aksidenteve me 11.5%, krahasuar me të njejtin muaj të vitit 2021. Në vlerë absolute, gjatë prillit janë regjstruar 92 aksidente nga 104 që regjistroheshin në prilln e vitit të kaluar. Po ashtu, rënie regjistrohet edhe nëse do ta krahasonim me muajin mars të po këtij viti, ku numëroheshin 101 aksidente. Edhe në terma katërmujorësh përsëri vërehet një rënie e numrit të aksidentëve rrugore, me 11.7%.

Të dhënat paraqiten pozitive edhe për numrin e të aksidentuarve, ku përfshihen të vrarë dhe të plagosur, për prillin e këtij viti. Përgjatë kësaj periudhe, numri i personave të aksidentuar është 132 persona nga 145 që janë numëruar në të njejtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu, rënie kemi edhe përgjatë katërmujorit të parë të këtij viti ku numri i të aksidentuarve është 524 persona nga 563 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më konkretisht, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 10 persona, nga 12 persona të vdekur në prill të vitit 2021. Megjithatë, duke marrë në konsidratë se muaji prill i vitit 2021 ishte akoma nën efektin e masave kufizuese, panorama e muajit prill të këtij paraqitet mjaft pozitive sa i përket treguesve të mësipërm.

Të dhënat tregojnë se në 84.8% të rasteve të aksidenteve, ato kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit, ndërsa gjatë periudhës katërmujore të vitit janë regjistruar 13.3% e rasteve të aksidenteve të ndodhura si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Nëse analiza e “Scan Intel” do të fokusohej më tej, vihet re se kryeqyteti vijon të kryesojë listën e qarqeve sa i përket numrit më të lartë të aksidenteve, edhe pse ka pësuar një rënie të tyre, me 6.1%. Qarqe të cilat në prill të vitit 2022 kanë pësuar rritje të aksidenteve janë: Durrësi, Kukësi dhe Vlora, paçka se në vlera mjaft të vogla. Qarqe si Dibra, Berati dhe Shkodra nuk kanë regjistruar asnjë aksident gjatë prillit të vitit 2022. Kujtojmë se Berati, edhe gjatë Prillit të vitit të kaluar nuk regjistronte asnjë aksident rrugor.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në Shqipëri martesa mbetet e “shenjtë”/ Divorcet, nën mesataren europiane, raporti shkurorëzim/kurorëzim, ndër më të ultit në Europë

Postimi mëparshëm

Si ka ndryshuar harta e importeve? Kosova, Izraeli, Polonia i zenë vendin Holandës, Francës, Maqedonisë së Veriut

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.