Sociale

Aftësia digjitale, Shqipëria në fund të Europës/ EUROSTAT: Vetëm 1 në 4 shqiptarë kanë aftësi bazë të teknologjisë

0

Shqipëria renditet e fundit në Europë me përqindjen më të ulët të personave të grupmoshës 16 deri në 74 vjeç, të cilët kanë të paktën bazën e aftësive digjitale. Të dhënat tregojnë se vetëm 24% e popullsisë në vendin tonë kanë aftësi teknologjike bazë. Këto shifra janë publikuar nga “Agjencia Europiane e Statistikave” në raport monitorimin e vitit 2022, në kuadër të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Treguesi i mësipërm lidhet me objektivin e katërt, i cili ka të bëjë me cilësinë e arsimit. Sipas raportit, ky është një parakusht për arritjen e objektivave të vendosura pasi arsimi dhe trajnimi janë shtytësit kryesorë për rritje ekonomike dhe vende pune, sepse ato ndihmojnë në produktivitet, inovacion dhe konkurrencë.

Shifrat tregojnë se përqindja e personave të cilët kanë aftësitë bazë të teknologjisë në Shqipëri është 30 pikë përqindje larg mesatares së Bashkimit Europian. Gjatë vitit 2021, ky tregues regjistrohej në 54%. Në nivel rajoni pozitat më të mira me përqindjen me të lartë i ka Mali i Zi, ku 47% e individëve të grupmoshës 16 deri në 74 vjeç kanë aftësi digjitale bazë. Ndjek Serbia me 41%, Maqedonia e Veriut me 35% dhe Bosnje Hervegovina po ashtu me 35%. Ndër vendet e para në Europë me përqindjen më të lartë të personave me aftësi digjitale bazë janë Islanda me 81%; Hollanda, Finlanda dhe  Norvegjia me 79% secila. Përpos Shqipërisë, ndër vendet e fundit në Europë gjejmë të renditur Rumaninë, Turqinë dhe Bullgarinë.

Të dhënat e analizuara nga “Scan Intel” i referohen vitit 2021 dhe ky tregues është i bazuar në aktivitetet e përzgjedhura të kryera nga individë në zona specifike me internet. Deri në vitin 2019-të ky tregues përfshinte informacionin, komunikimin, zgjidhjen e problemeve dhe software, ndërsa në vitin 2021 e në vazhdim u shtua edhe elementi i sigurisë. Theksojmë se ky tregues bazohet në sondazhin e BE-së për përdorimin e TIK-ut në familje dhe nga individët.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Si kanë ndryshuar shpenzimet e qeverisë ndër vite? Që prej 2009-ës, deri sot, çështjet ekonomike përgjysmojnë peshën

Postimi mëparshëm

IT, profesioni që nuk njeh krizë/ Rritja më e lartë e pagave në tre vite

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.