Të dhënat nga “Agjencia për Azil e Bashkimit Europian” (EUAA), tregojnë se numri i aplikimeve për azil nga shqiptarët gjatë vitit 2021 regjistrohet në 11,066, nga ku 8,709 aplikime janë për herë të parë, ndërsa 2,356 janë aplikime përsëritëse. Edhe pse nga të dhënat e vitit 2020 duket sikur pandemia përmbysi trendin e azil kërkuesve, të dhënat e vitit 2021 tregojnë një rritje të tyre me 70.2%. Megjithatë, nëse do ta analizonim këtë tregues që nga viti 2015-të, i cili regjistronte rreth 66 mijë aplikime për azil, të dhënat tregojnë se ka ardhur duke rënë. Krahasuar më vitin 2019-të, pra vitin para pandemisë, numri i aplikimeve për azil gjatë vitit 2021 është më i vogël. Rënia krahasuar me 2019-n regjistrohet në 41.8%. Sipas “Agjencisë për Azil të Bashkimit Europian”, kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Europian po rikthehen në nivelet e para pandemisë. Shifrat flasin për rreth 617,800 aplikime gjatë vitit 2021. Të dhënat sinjalizojnë se grupi më i madh i azilkërkuesve europianë gjatë 2021-shit ishin shqiptarët, të ndjekur nga moldavët. Të dy këto vende kanë paraqitur rreth 70% më shumë aplikime në 2021 sesa në 2020.
Le të shohim se si paraqiten këto të dhëna nëse do të bënim një krahasim me vendet e rajonit. Sipas shifrave të analizuara nga “Scan Intelligence Unit”, vendi ynë mban rekord në rajon për numrin më të lartë të aplikimeve për azil gjatë vitit 2021. Shqipërinë e ndjek në renditje Maqedonia e Veriut me 4,992 aplikime gjithsej për vitin 2021. Serbia ndjek me 3,272 kërkesa, pasuar nga Bosnje Hercegovina, me 2,545 të tilla. Vendi më numrin më të ulët të kërkesave në rajon është Mali i Zi me 414 aplikime gjithsej për vitin 2021. Kosova po ashtu regjistron një numër të ulët aplikimesh krahasuar me rajonin, me 2,325 kërkesa.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments