Pak më shumë se 1/3 e pagamarrësve në Shqipëri, paguhen me pagë minimale, tregojnë të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për “Scan Intelligence Unit”. Më saktësisht, deri më 30 shtator të vitit të kaluar, si periudha e fundit tatimore e mbyllur, individët që paguajnë kontribute për një pagë mes 26 mijë- 30 mijë lekë në muaj janë 251,531. Në total, Shqipëria numëron rreth 686 mijë pagamarrës, çka do të thotë se, 36% e tyre paguhen me pagë minimale. Kujtojmë se, paga minimale ka ndryshuar me ligj në 30 mijë lekë prej datës 1 janar të këtij viti.
Po në cilët sektorë janë të shpërndarë më së shumti pagamarrësisht me pagë minimale? Po duke i`u referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të siguruara nga “Scan intelligence Unit”, rezulton se sektori që mban peshën më të madhe është ai i shërbimeve, që zë 39% të totalit, i ndjekur nga tregtia me 29% të totalit, dhe më pas nga prodhimi me 20%, ose rreth 51 mijë individë. Sektori i ndërtimit, me vetëm 8%, ose 20 mijë individë dhe ai i transportit me vetëm 4% zënë vendin e fundit, tregojnë të dhënat.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments