EkonomiFinancë

1/4 e kredive, për shtëpi/ Huatë për banesë zënë 23% të totalit, nga 19% që ishte kjo peshë në 2016

0

Huatë për blerje banesash për ekonominë gjatë muajit Prill 2022 fiksohen në 153 mld lekë, tregojnë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, ç`ka përkthehet në rreth 1.2 mld euro. Krahasuar me vitet paraardhëse mund të themi se kjo vlerë rezulton të jetë më e larta prej fundvitit të 2015, referuar shifrave zyrtare.

Pesha e huave për blerje banesash mbi totalin e huave të marra gjithsej fiksohet ne 23% për muajin Prill 2022 nga 19% që ka qënë në Dhjetor 2015. Pra, për gjashtë vjeçarin e fundit, shohim se kemi një rritje me 4 pikë përqindje në peshën që zë kredia për blerje banese mbi totalin e kredisë për të gjithë ekonominë.Thënë më thjeshtë, thuajse ¼ e kredisë të sektorit bankar në Shqipëri, shkon për blerje banese. Shifrat i referohen stokut, pra kredisë totale, dhe jo kredisë së re.


Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, prill 2021, shohim një rritje me 15% të totalit të huasë gjithsej nga individët në banka me qëllim blerje banese. Nga shifrat, duket se bankat kanë refuzuar më pak kredi dhe i janë përgjigjur zhvillimeve në tregun e banesave. Një arsye kryesore e kësaj rritje të fortë vlerësohet të jetë kërkesa për blerje banesash si për strehim, ashtu edhe për investim. Një tjetër arsye, vlerësohet edhe konkurrenca mes bankave në vend, që ka çuar në lehtësim të kushteve të kreditimit. Ndërkohë, sipas shifrave të fundit të Bankës së Shqipërisë, rezulton se portofoli total i kredisë fiksohet në 664 mld lekë ose 5.5 mld euro, deri në prill 2022.

Kredia për blerje banesash në lekë vijon të mbizotërojë ndaj asaj në valutë. Nga totali i huasë për banesa gjatë muajit Prill 2022, 86 mld lekë ka qenë kredi në monedhën vendase, 66 mld lekë në euro dhe vetëm 288 mln lekë në dollarë, tregojnë shifrat zyrtare. Megjithatë, kjo tendencë nuk ka qene gjithmonë kështu. Nëse hedhim një sy të shpejtë të historikut qe na servirin shifrat zyrtare për periudhën 2016-2022, shohim se ky raport ka qënë i përmbysur. Prej vitit 2016-2018, në totalin e kredive për blerje banesash dominojnë kreditë në monedhen Europiane, ndërkohë që për vitet 2018-2022 monedha vedase ka ardhur gjithnjë dhe në rritje, rrjedhojë edhe e politikave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për deurizimin e ekonomisë. Vetë bankat po ndjekin politika të kujdesshme lidhur me kreditimin e individëve duke përputhur të ardhurat e tyre me monedhën e kredisë, së bashku me ndërgjegjësimin e individëve për rrezikun ndaj kursit të këmbimit. Ndaj, edhe kreditë janë orientuar më shumë drejt lekut.

Nëse do të zbërthejmë totalin prej 23% të huave të dhëna nga bankat për blerje banesash, shohim se 13% e tyre janë në monëdhën vendase, 10,02% janë në monedhën Euro, 0.04% janë dhënë në dollar amerikan dhe 0.02% janë në monedha të tjera.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pushimet verore, krahasimi i Shqipërisë me Europën/ Çmimet e akomodimit, jemi më të lirët. Greqia, Franca, Spanja, më të shtrenjtat

Postimi mëparshëm

Kriza prek edhe pagesën e kredive/ Norma e huave me probleme rritet për herë të parë pas 14 muajsh në rënie

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.