Ekonomi

Pushimet verore, krahasimi i Shqipërisë me Europën/ Çmimet e akomodimit, jemi më të lirët. Greqia, Franca, Spanja, më të shtrenjtat

0

Me ngrohjen e motit dhe me ardhjen e diellit përvëlues, çdo vit, familjet dhe shoqëria nisin gjithashtu debatin e zakonshëm; ku t`i bëjnë pushimet? A ja vlen Shqipëria? Po çmimet? Në vijim edhe të publikemeve të kaluara mbi këtë temë, “Scan Intel” ka vijuar hulumtimin për të kuptuar se çfarë çmimesh ofron Shqipëria për akomodim në stinën e verës, krahasuar me destinacionet e tjera europiane, ato bregdetare? Për këtë analizë kemi marrë në hulumtim 10 shtete të ndryshme, bazuar në çmimet e listuara të akomodimeve në platformën globale “Airbnb”, ku nuk janë të listuara vetëm apartamente apo shtëpi, por edhe dhoma hotelesh apo strukturash të ngjashme akomoduese, të cilat në total japin një panoramë të përafërt të çmimeve të akomodimit në shtete të ndryshme. Ashtu si edhe herët e tjera, kërkimi në këtë platformë është bërë për datën 15 korrik të këtij viti, për 2 persona.

Ndër 10 shtetet e marra në analizë, rezulton se Shqipëria është më e lira, me një çmim mesatar akomodimi për natë prej $69. Në renditje ndjek Turqia, me një çmim mesatar prej $73, dhe Mali i Zi në vend të tretë me një çmim mesatar prej $80 për natë qëndrimi. Portugalia pozicionohet në vend të katërt dhe Greqia e pesta, me nga $114 dhe $116 respektivisht. Tre vendet më të shtrenjta ndërkohë mbahen nga Franca, me $149 mesatarisht natë qëndrimi, Italia me $151 dhe Malta me $156.

Po për disa pushime standarde, pra 6 netë dhe 7 ditë, duke filluar prej datës 15 korrik, si variojnë çmimet mes këtyre 10 destinacioneve bregdetare europiane? Sërish kemi Shqipërinë në vend të parë, me një çmim mesatar akomodimi për 2 persona prej $414. Duke qenë se bëhet fjalë për 6 netë qëndrimi, dhe duke qenë se datat i afrohen edhe më shumë kulmit të sezonit, ndryshe nga Shqipëria, për disa prej destinacioneve kryesore europiane, çmimet janë edhe më të rritura se sa vetëm një natë qëndrimi, dhe renditja ka ndryshime të theksuara krahasuar me ate të vetëm një nate qëndrimi. Kështu, pas Shqipërisë, vendi më i lirë në Europë rezulton të jetë Mali i Zi, me një mesatare kosto për akomodim për 2 persona për 6 netë, prej $510. Renditja vijon me Turqinë, me një kosto prej $582, Kroacinë me $810, Portugalinë me $888, Maltën me $996, Italinë me $1044, Greqinë me $1068, Francën me $1092 dhe Spanjën e vendit të fundit, me $1212. Pra, çmimet e akomodimit në Shqipëri rezultojnë thuajse 3 herë më të lira se në Spanjë, destinacioni më i shtrenjtë në Europë, referuar këtyre të dhënave.

Këto të dhëna i referohen akomodimeve të listuara në `Airbnb` në datat e sipërpërmendura në lokacionet e vendosura në të gjithë territorin e shtetit përkatës. Por, pjesa dërrmuese e akomodimeve të listuara në të gjitha shtetet gjatë këtyre datave është e pozicionuar në zonat bregdetare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni prek tjetër rekord, në 6.7%/ Rritja e çmimeve “mbërthen” të gjitha grupet, nga transporti, te vaji, bulmeti, mishi, peshku

Postimi mëparshëm

1/4 e kredive, për shtëpi/ Huatë për banesë zënë 23% të totalit, nga 19% që ishte kjo peshë në 2016

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.