Studime

Sa vlejnë eksportet shqiptare? Deri në 10 herë më të shtrenjta se importi, për të njëjtin produkt

0

Shifrat e tregtisë së jashtme vijnë në dy dimensione, atë të vlerës dhe atë të peshës, nga ku mund të arrijmë edhe në përfundime të tjera, veç atyre të termave të ecurisë absolute të këtij sektori. “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar dhe analizuar këto detaje me hollësi, për t`i dhënë përgjigje disa pyetjeve. Sa vlejnë eksportet shqiptare? Po importet? Si kanë ndryshuar çmimet e produkteve të caktuara nga tetori i vitit të kaluar, në tetorin e këtij viti? Apo, sa ndryshojnë çmimet mes eksportit dhe importit të të njëjtit produkt? Në analizë janë marrë vetëm produktet për të cilat ka kuptim çmimi për kilogram, që në pjesën dërrmuese janë produkte ushqimore. Në analizë janë përfshirë edhe lëndët djegëse minerale, pra karburantet, si një produkt me luhatje të ndjeshme çmimesh në treg, por edhe që ka kuptim çmimi për kilogram/litër.

Produkti me vlerën më të lartë të eksporteve shqiptare gjatë tetorit të këtij viti rezulton të jenë rrëshirat, me rreth 5400 lekë kilogrami. Në vend të dytë ndjek mishi dhe të brendshme, me rreth 1600 lekë kilogrami, ndërkohë që në vend të tretë gjejmë kafshët e gjalla, me rreth 1100 lekë kilogrami. Ushqimet e përgatitura prej mishi si dhe peshku dhe nënproduktet e detit mbyllin 5 vendet e para të listës. Frutat “Made in Albania” eksportohen mesatarisht me 82 lekë kilogrami, ndërsa zarzavatet me 70 lekë kilogrami.

Sa i përket importeve ndërkohë, në vend të parë gjejmë sërish rreshirat, por me rreth 1 mijë lekë kilogrami, ndjekur nga kakao, me 566 lekë kilogrami, si dhe kafe, çaj dhe erëza në vend të tretë, me 495 lekë kilogrami.

Eksportet, deri në 10 herë më të shtrenjta se importet, për të njëjtin produkt

Por, si ndryshojnë çmimet e të njëjtave produkte, nga eksporti në import? Mesatarisht, për të 25 produktet e marra në analizë, eksportet janë dy herë më të shtrenjta se importet, ose 106%. Produkti i cili regjistron edhe diferencën më të madhe në çmim mes eksportit dhe importit, me thuajse 10 herë është ai i mishit dhe të brendshmeve, saktësisht 955% më të shtrenjta eksportet për të njëjtin produkt. Mishi shqiptar eksportohet jashtë me rreth 1600 lekë kilogrami, ndërkohë që importohet me vetëm 152 lekë kilogrami. Edhe për rrëshirat, çmimi i eksportit për kilogram rezulton të jetë 432% më i lartë se ai i importit. Edhe sa i përket kafshëve të gjalla, diferencat janë drastike, me çmimin për kilogram, mesatar, të eksportit që fiksohet në 1151 lekë, dhe atë të importit pranë vetëm 219 lekëve. Drithi që ne eksportojmë kushton 144% më shumë për kilogram mestarisht, se ai i importit, 98 lekë kundrejt 40 lekëve. E njëjta gjë vlen edhe për peshkun dhe nënproduktet e detit, 117% më të shtrenjta mesatarisht eksportet se sa importet, për kilogram. Nga lista me 25 produkte që ne kemi analizuar, rezulton se vetëm 10 prej tyre regjistrojnë çmime importi më të larta se eksporti. Në vend të parë kemi lëndët djegëse minerale, 45% më të shtrenjta ato të importuara. Produktet bulmetore janë në vend të dytë, me eksportet për kilogram që kushtojnë 121 lekë, dhe importet plot 176 lekë. Po frutat dhe zarzavatet a ndryshojnbë shumë nga eksporti në import? Për të dyja këto produkte, çmimet e importit janë ndjeshëm më të larta se eksportet, të pakën referuar të dhënave të tetorit të këtij viti. Për frutat, çmimi mesatar i eksportit për kilogram fiksohet në 82 lekë, ndërsa për importin pranë 100 lekëve, pra një diferencë prej 17% në favor të importit. Sa i takon zarzavateve çmimi i eksportit për kg fiksohet në 70 lekë, ndërsa i importit në 86 lekë, me një diferencë prej 18.5%. Për disa produkte, sidomos mishin, kjo diferencë në çmim duket mjaft e lartë, pasi bëhet fjalë për 10-fish. Por si shpjegohet? Njëra prej arsyeve mund të lidhet me cilësinë, kur flasim për produkte si mishi, mes eksportit dhe importit. Arsyeja tjetër mund të ketë të bëjë me informalitetin, pra mosdeklarimin e saktë të cmimit për efekte tatimore. Gjithsesi, këto shifra e ilistrojnë qartë se përse prodhimi vendas konkurrohet bindshëm nga ai i jashtëm.

Por si kanë ndryshuar çmimet për një vit?

Tani të kalojmë te analiza e çmimeve sipas produkteve nga tetori i vitit të kaluar, në tetorin e këtij viti, për të kuptuar si kanë ndryshuar ato, si në eksport, ashtu edhe në import. Sa i përket këtyre të fundit, në vend të parë kemi lëndët djegëse minerale, të cilat janë shtrenjtuar me 115% për kilogram në harkun e një viti. Në vend të dytë gjejmë materialet vegjetale, me 61.9% shtrenjtim për kilogram, në import. Zarzavatet ndërkohë janë në vend të tretë, me çmimin për kilogram që ka kaluar nga 60 lekë në tetor të vitit 2020, në 86 lekë në tetor të këtij viti, me një shtrenjtim prej rreth 43%. Sheqernat gjithashtu i gjejmë në krye të listës, me një shtrenjtim prej 37% të çmimit për kilogram në import. Sa i përket drithërave, rritja fiksohet pranë 30%. Kujtojmë se rritja e çmimit të importit të drithërave në vend ka nxitur një rritje edhe të çmimit të bukës dhe produkteve të tjera të brumit. Frutat e importit ndërkohë i shohim në pjesnë gjysmën e dytë të tabelës, me një rritje të çmimit prej vetëm 3.2%. Produktet bulmetore, kakao, peshku dhe nënproduktet e detit, ushqimet e përgatitura nga mishi/peshku, fajrat vajore/bimët industriale/ushqim për kafshët, si dhe produktet me origjinë shtazore janë të vetmet që regjistrojnë rënie të çmimit krahasuar me një vit më parë. Mesatarisht, çmimet e importit për këto produkte janë rritur me 17.6% krahasuar me një vit më parë. Sa i përket eksporteve, në vend të parë për shtrenjtimin e çmimeve sipas produkteve, krahasuar me vitin e kaluar, gjejmë kimikatet inorganike, me 920%, ndjekur nga sheqernat, me 666%. Drithërat regjistrojnë një shtrenjtim në çmim eksporti prej 110% në harkun e një viti, ndërsa hidrokarburet, prej 98%. Rënie të çmimit të produkteve “Made in Albania” ndërkohë, regjistrojnë produktet e peshkut, kimikatet organike, kakao, kafja, apo zarzavatet. Sa i përket këtyre të fundit, çmimet e eksportit kanë rënë me 7.1% për kilogram. Mestarisht, çmimet e eksportit për kilogram për këto produkte të marra në analizë janë rritur me 73%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditimi prek rekorde të reja në tetor/ Rritet me 7.8%, shifra më e lartë në 5 vite. Por, sinjale ndryshimi vijnë nga kredia për blerje shtëpie

Postimi mëparshëm

Valuta “fryn” depozitat bankare/ Totali arrin në 1.194 trilionë lekë në tetor, falë monedhës së huaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.