Financë

Sa kredi kanë shqiptarët për shtëpinë? 403 euro për frymë mesatarisht, Tirana me 856 euro, Elbasani i fundit, vetëm 90 euro

0

Huaja për blerje banese në vendin tonë fiksohet në një stok total prej rreth 137 miliardë lekësh, sipas të dhënave të tremujorit të dytë të këtij viti. Kjo shifër përkthehet në rreth 1.13 miliardë euro. E konvertuar në frymë banori, fiksohet në 403.6 euro, ose rreth 1500 euro për familje, duke llogaritur që përbërja mesatare e familjeve shqiptare fiksohet në rreth 3.7 anëtarë. Kaq është borxhi mesatar për frymë që shqiptarët kanë për shtëpinë e tyre. “Scan Intelligence Unit” i ka analizuar shifrat e huasë për blerje banese nga individët edhe sipas qarqeve, për të parë se cilat ndër to kanë më shumë kredi për frymë për shtëpi, dhe cilat më pak. Shifrat flasin për një mesatare, e cila shërben si referencë për të kuptuar se në cilat qarqe shfrytëzohet më shumë financimi nëpërmjet huasë bankare për të blerë shtëpi, dhe në cilat qarqe përdoret më pak.

Në vend të parë, ashtu siç pritej është kryeqyteti, me 103 mijë lekë për frymë, ose rreth 856 euro. Për familje, shifra ngjitet në 3156 euro. Tirana zë 69% të totalit të stokut të kredisë për blerje banese. Në vend të dytë ndërkohë, ndjek Durrësi me 264.9 euro për frymë, ose me 1006 euro për familje, duke llogaritur numrin mesatar të anëtarëve për familje në këtë qark, prej 3.8 banorësh. Durrësi pasohet në këtë renditje nga qarku i Korçës, me 255.6 euro për banor, ose me 869 euro për familje. Pas Korçës ndjek qarku I Vlorës, me 184.9 euro për frymë kredi për shtëpi, ose 628.66 euro për familje. Në renditje vijon Lezha, me 142.7 euro për banor, ose 556 euro për familje, Shkodra me 133 euro për banor, Fieri me 107 euro për banor dhe në vend të fundit gjejmë Elbasanin me vetëm 90 euro për banor. Kredia për shtëpi për banor në Elbasan është 9.5 herë më ë vogël se në kryeqytet. Veç Tiranës dhe Durrësit, renditja vjen me disa surpriza, si renditja e Fierit dhe Elbasanit në fund, apo ajo e Lezhës përpara këtyre qarqeve, dhe përpara Shkodrës. Përqëndrimi i qarqeve bregdetare dhe turistike në krye të renditjes (me përjashtim të kryeqytetit), duke lënë pas në renditje qarqe të mëdha, si Elbasani, Fieri apo Shkodrës, ndoshta justifikohet pikërisht me prezencën e turizmit në këto zona, dhe kryesisht shtëpive të dyta.

Sa i përket peshës së qarqeve në totalin e kredisë për shtëpi, vëmë re se kryeqyteti ka rritur peshën e tij, nga 63% në vitin 2015, në 69% të totalit në 2021.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Made in Albania”, industria e rëndë i zë vendin asaj fasone, – Pas 5 vitesh, veshjet nuk janë më eksportet kryesore, rikthehen hidrokarburet dhe giza me çelikun

Postimi mëparshëm

Shpenzimet publike në shëndetësi u rritën me hapin më të ngadaltë që prej 2015-ës, pavarësisht pandemisë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.