Kreditë e reja gjatë muajit janar kanë prekur shifrën e 19.2 mld lekëve, ose rreth 158 milionë euro, tregojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë në lidhje me kreditimin e sektorit bankar. Krahasuar me muajin paraardhës, pra dhjetorin e vitit të kaluar, kur fiksohej në rreth 41.2 mld lekë, shifra është në rënie të ndjeshme, por është efekt sezonal. Muaji i fundit i vitit karakteriozhet nga një tendencë e lartë në kreditim, ndërkohë që krej e kundërta ndodh me muajin e parë të vitit. Madje, shifrat tregojnë gjithashtu se shifra e janarit për flukset e kredive të reja është më e larta në 7 vitet e fundit, kur edhe të dhënat janë publike nga Banka e Shqipërisë.
Sa i përket sektorit privat, huatë e reja gjatë janarit fiksohen në 10.9 mld lekë, nga rreth 26 mld lekë që ishin në dhjetor, por që është sërish efekt sezonal. Shifra e janarit të këtij viti rezulton mbi atë të janarit të vitit 2021 dhe atë të janarit 2020, por më e ulët se viti 2019.
Ndërkohë, sa i përket individëve, huatë e reja gjatë janarit fiksohen në 4.9 mld lekë, që është shifra më e lartë në 7 vitet e fundit, që kur Banka e Shqipërisë i ka publike këta indikatorë.
Sa i përket kredive të reja për blerje banese nga individët ndërkohë, gjatë janarit ato fiksohen në 1.43 mld lekë për ato në monedhën vendase, si dhe në rreth 1 mld lekë për ato në euro. Në të dyja rastet, në terma sezonalë, bëhet fjalë për shifrën më të lartë në 7 vitet e fundit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments