Shqipëria pozicionohet në vend të 72-të në “Indeksin e Zhvillimit të Udhëtimit dhe Turizmit” për vitin 2021, i publikuar së fundmi nga “Forumi Ekonomik Botëror”. Ky indeks, i titulluar më parë “Indeksi i Konkurueshmërisë së Udhëtimit dhe Turizmit”, tashmë vjen në një formë të re duke sjellë evolucion në mënyrën se si mat faktorët dhe politikat që mundësojnë zhvillimin e qendrueshëm dhe elastik në sektorin e turizmit e rrjedhimisht në zhvillimin e vendit. Duke mbuluar 117 ekonomi, “Indeksi i Zhvillimit të Udhëtimit dhe Turizmit”, me këtë edicion të fundit thekson nevojën jetike për të investuar në turizëm sidomos pas sfidave që solli pandemia COVID-19.
Ky indeks mbështetet në 5 korniza kryesore të cilat ndahen më pas në 17 pika, ku mbi këto të fundit bazohen matjet. Mjedisi mundësues, politikat e turizmit dhe kushtet mundësuese, infrastruktura, kërkesat e udhëtarëve për turizëm si dhe qëndrueshmëria e udhëtimit dhe turizmit janë shtyllat kryesore të cilat ndahen në indikatorë të tjerë. Ndër indikatorët më të rëndësishëm mund të përmendim mjedisin e biznesit, hapjen ndërkomëtare, konkurueshmërinë e çmimeve, mbrojtjen dhe sigurinë, infrastrukturën, shërbimin turistik, burimet natyrore dhe kulturore, rezistenca socio ekonomike e të tjera. Shqipëria vlerësohet me 3.8 pikë në këtë indeks dhe theksojmë se rezultatet e përgjithshme variojnë nga 1 pikë në 7 ku 1 përfaqëson shumë keq, ndërsa 7 përfaqëson shumë mirë. Krahasuar me edicionin e kaluar, vendi ynë ka humbur një pozicion, por në pikëzim ka shënuar një rritje me 1%. Nga këto rezultate duket se vendi ynë ka akoma punë për të bërë në këtë sektor dhe gjithashtu ka nevojë për politikat e duhura në mënyrë që të këtë një turizëm të zhvilluar dhe për pasojë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Në nivel rajoni, Shqipëria renditet e treta pas Malit të Zi dhe Serbisë. Mali i Zi pozicionohet në vend të 67-të dhe grumbullon 3.9 pikë, ndërsa Serbia renditet në vend të 70-të dhe është vlerësuar me 3.8 pikë. Pas vendit tonë në nivel rajoni renditen Maqedonia e Veriut, e 87-ta dhe Bosnje Hercegovina, në vend të 95-të. Në vend të parë në këtë indeks renditen vende si Japonia, Shtetet e Bashkuara, Spanja, Franca dhe Gjermania.
Indeksi i Zhvillimit të Udhëtimit dhe Turizmit, 2021
Indeksi i Zhvillimit të Udhëtimit dhe Turizmit, 2021
Shtyllat e Indeksit të Zhvillimit të Udhëtimit dhe Turizmit, 2021
Klikoni këtu për të parë raportin e plotë
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments