Raporte

Vendet më të pasura dhe më të varfra/ FMN: Shqipëria e 90-ta në botë, me $17,383 për frymë, më e varfra në rajon pas Kosovës

0

Së fundmi revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen “Fondit Monetar Ndërkombëtar” në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”. Sipas këtyre të dhënave Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë në 17,383 dollarë. Ky pozicionim e rendit vendin tonë mes vendeve me të ardhura mesatare. Mes rrjeshtash “Global Finance” thekson se matja e vendeve të pasura dhe të varfëra bëhet referuar PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Produkti i brendshëm bruto është i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse. Kjo matje bëhet pasi nëse do të merrnim parasysh vetëm produktin e brendshëm bruto të një vendi gjatë një viti, atëherë do na duhet të konkludojmë se kombet më të pasura janë pikërisht ato me GDP-në më të lartë si Shtetet e Bashkuara, Kina, Japonia apo Gjermania. Kështu, për të patur të dhëna më të sakta sa i përket vendeve më të pasura dhe atyre më të varfëra, sipas Global Finance, është e preferueshme që vendet të jenë edhe egalitare, pra të barabarta ekonomikisht. Për të vlerësuar se sa të pasur janë qytetarët e një vendi, është e nevojshme të kuptohet se sa mund të blejnë. Pra kur krahasojmë GDP-në për frymë midis vendeve, PBB-ja duhet të rregullohet për barazinë e fuqisë blerëse, gjë që na ndihmon të marrim parasysh normat e inflacionit dhe çmimin e mallrave dhe shërbimeve në çdo vend të caktuar.

Sipas kësaj metodologjie vendi më i pasur në botë është Luksemburgu me PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse deri në 140,694 dollarë. Vendi dytë më i pasur është Singapori, ndjekur nga Irlanda dhe Katari. Në fillim të listës vijojnë edhe vende si Zvicra Emiratet e bashkuara Arabe, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara në vend të shtatë me 76,027 dollarë për frymë. Por cilat janë vendet më të varfëra të botës? Listimi i tyre sipas PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerë tregon se në fund të listës janë vende si Burundi, Sudani i Jugut, Somalia, Nigeria, Republika e Kongos dhe vende të tjera afrikane.

“Scan Intel” ka krahasuar vendet e rajonit sa i përket renditjes së tyre. Në rajon, sipas renditjes, Shqipëria është më e varfëra  pas Kosovës e cila renditet në vend të 105 me PBB për frymë 13,964 dollarë. Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Renditet në vend të 69-të në botë me 24,878 dollarë. Më pas vjen Serbia dhe Maqedonia e Veriut të renditur në vend të 72 dhe 78 respektivisht. Bosnje Hercegovina në këtë renditje qëndron në vend të 88-të me 17,471 dollarë për frymë.

VENDET MË TË PASURA DHE MË TË VARFRA, SHQIPËRIA

VENDET MË TË PASURA NË BOTË, 2022

VENDET MË TË VARFRA NË BOTË 2022

VENDET MË TË PASURA DHE MË TË VARFRA, RAJONI

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

3 në 4 familje në shtëpi private/ Tendenca në rritje, bie norma e familjeve në apartamente dhe atyre me qira

Postimi mëparshëm

Shqipëria, për çdo 20 punonjës, ka 1 “Drejtor”/ Analiza e Scan Intel: Figurojnë rreth 33,800 drejtues gjithsej.

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.