“Agjencia Europiane e Statistikave” në raport monitorimin mbi progresin e vendeve drejt zhvillmit të qëndrueshëm, paraqet një sërë treguesish statistikorë, ku mes tyre gjenden edhe të dhëna për Shqipërinë. ”Scan Intel” ka analizuar një nga treguesit që lidhet me objektivin e gjashtë për zhvillim të qëndrueshëm. Ky objektiv ka të bëjë me sigurimin e disponueshmërisë dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujësjellës-kanalizimeve për të gjithë. Nga të dhënat e raportit duket se vendi ynë ka një pozicionim jo shumë pozitiv në raport me vendet e Europës sa i përket trajtimit të ujërave të zeza. Shqipëria renditet e katërta në Europë, për vitin 2019-të, me përqindjen më të ulët të popullsisë të lidhur me trajtim sekondar të ujërave të zeza. Janë 31.8% e popullsisë në vendin tonë të cilët janë të lidhur me trajtim sekondar të ujërave të zeza. Mesatarja e Bashkimt Europian për vitin 2019-të llogaritet në 80.9%. Pra 80.9% e popullsisë në BE janë të lidhur me trajtim dytësor të ujërave të zeza.
Por çfarë do të thotë trajtim dytësor i ujërave të zeza? Trajtimi dytësor është heqja e lëndës organike të biodegradueshme nga ujërat e zeza ose lloje të ngjashme të ujërave të zeza. Qëllimi është që të arrihet një shkallë e cilësisë së ujit nga një impiant për trajtimin e tyre me qëllim asgjesimin ose pastrimin për ripërdorim. Nga këto të dhëna kuptojmë se Shqipëria vuan nga ndotja për shkak të ujërave të zeza pasi një pjesë e mirë e tyre nuk trajtohen. Ujërat e zeza janë një rrezik i madh për shoqërinë pasi janë shkaktare të shumë sëmundjeve infektive. Ky keqmenazhim i tyre mund të vijë si pasojë e rritjes së numrit të ndërtimeve vitet e fundit dhe investimet e pamjaftueshme për impiante apo kanalizime. Megjithatë, nëse i referohemi raportit mbi zhvillimin e qëndrueshëm për vititn 2022 (kliko këtu), shihet se vendi ynë po bën përparime sa i përket objektivit të gjashtë.
Shifrat tregojnë se vendet e rajonit kryesojnë mes vendeve të Europës me përqindjen më të ulët të popullsisë të lidhur me trajtim dytësor të ujërave të zeza. Listën e kryeson Serbia me 13.1%, ndjekur nga Malta me 15.4% dhe Bosnje Hercegovina me 29.6%. Vendet të cilat kanë rezultatet më të mira në këtë drejtim janë Austria me 99.7%, Hollanda me 99.5% dhe Luksenburgu me 98.1%.
Theksojmë se për këtë tregues disponohen shifra vetëm për 23 vende të Europës për vitin 2019-të, i cili është viti i fundit për të cilin janë gjeneruar të dhënat në këtë drejtim.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments