Ekonomi

Turizmi me rritje për të gjashtin muaj radhazi/ Hotelet regjistrojnë 51 mijë netë qëndrime më shumë

0

Shifrat e strukturave akomoduese vijojnë me rritje për të gjashtin muaj radhazi. Publikimi i Institutit të Statistikave tregon se numri i vizitorëve gjithsej gjatë prillit është 73,932 dhe shënon rritje me 35.1%, krahasuar me prillin e vitit 2021. Duke marrë parasysh se përgjatë muajit prill të vitit 2021 ishin akoma në fuqi masat kufizuese, rritja për prillin e këtij viti është e pritshme dhe paraqitet pozitive për turizmin në vendin tonë. Nëse do ta analizonim numrin e vizitorëve sipas tipologjisë së tyre, numri i vizitorëve vendas për prillin është 37,489 dhe ka pësuar rritje me 34.5%, krahasuar me të njejtën periudhë të një vitit më parë. Nga ana tjetër, numri i vizitorëve të huaj llogaritet gjithsej në 36,443 dhe rritja vjetore është 35.7%.

Të dhënat e publikimit tregojnë se rritja më e lartë e numrit të vizitorëve vendas është regjsitruar në Rajonin e Veriut me 62%, megjithatë numri më i lartë i tyrë është përqëndruar në Rajonin Qendër si për vizitorë vendas ashtu edhe për vizitorët e huaj. Nëse do të analizonim numrin sipas zonave në afërsi me bregdetin, numri më i lartë i vizitorëve regjistrohet në zonat jo bregdetare.

Numri i netë qëndrimeve po ashtu paraqitet me rritje përgjatë prillit të këtij viti, krahasuar me prillin e vitit 2021. Janë regjistruar gjithsej 138,541 netë qëndrime duke pësuar një rritje kështu me 59%. Në vlerë absolute numri i netë qëndrimeve është rritur me 51,407. Le të supozojmë se një natë në një nga strukturat e akomodimit ka një çmim mesatar në 30 euro, kështu nga përllogaritjet del se fitimi për strukturat akomoduese gjatë muajit prill është në rreth 1.5 mln euro. Analizuar sipas llojit të vizitorëve, shifrat tregojnë se netë qëndrimet nga vizitorët vendas janë rritur me 44.2%, ndërsa netë qëndrimet nga vizitorët e huaj janë rritur me 72.3%.

Po të analizojmë treguesit sipas rajoneve, vihet se se numri më i lartë i netë qëndrimeve është regjisitruar në rajonin qendër, ndërsa sipas zonave në afërsi me bregdetin, për muajin prill vizitorët kanë preferuar zonat jo bregdetare.

Vizitorët e huaj të cilët kanë zgjedhur si destinacion Shqipërinë për muajin prill të këtij viti, janë kryesisht nga Kosova, Italia, Gjermania, Anglia si dhe Austria.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Krahasimi i Shqipërisë me rajonin/ Jemi të parët për varfërinë. Po për PBB, papunësinë, mbështetjen sociale, inflacionin?

Postimi mëparshëm

Na duhet një orë punë për të blerë 1 litër naftë/ Shqipëria, e para në Europë, një zviceriani i duhen vetëm 4 minuta

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.