Shifrat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, mbi “Lëvizjet e Shtetasve në Shqipëri”, përmbajnë të dhëna në lidhje me lëvizjet e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj përgjatë muajit Qershor 2022. Kështu, “Scan Intel” ka marrë në analizë shifrat për të kuptuar se sa ka qënë numri i shtetasve që kanë frekuentuar vendin tonë, me qëllimin për të kuptuar ndryshin në hyrje-daljet mujore .
Shifrat tregojnë se turistët e huaj që kanë vizituar vendin tonë gjatë muajin Qershor të këtij viti jo vetëm që kanë tejkaluar nivelet e parapandemisë, por kanë shënuar rekordin më të lartë të pesë viteve të fundit me 876,056 hyrje gjithsej, tendencë kjo tejet pozitive sa i përket rimëkëmbjes së turizmit pas pandemisë. Krahasuar me vitin 2019-të, rritja fiksohet pranë 39%. Edhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, numri i hyrjeve gjithsej (shqiptare+të huaj) ka shënuar rritje, duke arritur në 4,8 mln, ndërkohë që hyrjet nga shtetasit e huaj regjistrohen në 2,5 mln. Edhe për hyrjet gjithsej, pra ku përfshihen edhe ata me shtetësi shqiptare, vihet re e njëjta tendencë. Vizitorët gjithsej në territorin e vendit gjatë qershorit të këtij viti, që përkojnë edhe me sezonin turistik veror, kanë qenë rreth 21% më të larta se qershori i vitit 2019, ose rreth 280 mijë më shumë.
Të njëjtin ndryshim vërejmë edhe në daljet jashtë territorit të Shqipërisë. Gjatë muajit qershor të vitit 2022 kanë lënë vendin 1,262,925 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar kështu një rritje me 44,6% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Daljet vetëm nga shqiptarët, ishin 498,857 duke regjistruar rritje me 34,2%, ndërkohë që i njejti ndryshim vërehet edhe në vlerat në terma gjashtëmujorshe. Kështu, gjatë gjashtëmujorit të parë të 2022-shit, numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i Shqipërisë është 2,519,533, duke u rritur me 47,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë që sa i përket shteteve, për muajin Qershor 2022 dominojnë hyrjet e shtetasve nga Kosova me rreth 394 mijë individë, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 76 mijë individë, Italia me 43 mijë individë dhe Greqia me 42 mijë individë. Hyrjet nga Spanja regjistrojnë numrin më të vogël, me vetëm 4 mijë individë.
Gjatë gjashtëmujorit të parë 2022, ndër vendet me numrin më të lartë të turistëve në vendin tonë vërejmë Greqinë, me 5,1 herë më tepër hyrje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Edhe për Italinë vërhet një rritje e ndjeshme e turistëve, çka sinjalizon se tendenca e pandemisë është përmbysur, pasi gjatë periudhës 2020-2021 hyrjet nga vendet me një pjesë të madhe emigrantësh shqiptarë, si dy vendet e sipërcituara ranë në mënyrë drastike.
Përmbledhtazi, 1.35 milionë individë shqiptarë dhe të huaj kanë hyrë në territorin e vendit tonë përgjatë mujit Qershor 2022 dhe 1.26 milion persona gjithsej kanë dalë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments