“Scan Intel” ka risjellë në vëmendje performancën financiare të spitaleve private me shifra të përditësuara për të parë se si kanë ndryshuar të ardhurat dhe fitmi i tyre gjatë vitit 2021, vit i cili për më tepër përfaqëson edhe kulmin e pandemisë. Të dhënat i referohen “Qendrës Kombëtare të Biznesit” dhe spitalet e analizuara janë “Spitali Amerikan”, “Spitali Gjerman”, “Spitali Salus”, “Spitali Kontinental”, “Spitali Europian” dhe “International Hospital” ose ndryshe “Spitali Hygeia”. Sipas shifrave të përpunuara del se spitali i cili kryeson listën me të ardhurat më të larta është “Spitali Amerikan”. Gjatë vitit 2021 ky spital ka gjeneruar 7.2 mld lekë ose e shprehur në valutë 61 mln euro. Në vend të dytë me të ardhurat më të larta renditet “Spitali Hygeia” me 3.1 mld lekë, pasuar nga “Spitali Salus” me 754 mln lekë ose 6.4 mln euro. “Spitali Gjerman” është i katërti në renditje sa i përket të ardhurave, me 654 mln lekë. Përgjatë vitit 2021 “Spitali Europian” dhe “Spitali Kontinental” renditen si spitalet me të ardhurat më të ulta, përkatësish me 404 mln lekë dhe 341 mln lekë. Krahasuar me vitin 2020, të ardhurat e të gjashtë spitaleve të marra në analizë kanë pësuar rritje, ku rritjen më të lartë e ka regjistruar “Spitali Europian” me 129%, ndjekuar nga “Spitali Salus” me 72.1%. Me rritje paraqiten po ashtu edhe “Spitali Kontinental”, “Spitali Gjerman” dhe “Spitali Amerikan” me 46.1%, 41.5% dhe 21.4%. Nga ana tjetër, spitali me rritjen më të ulët të të ardhurave për vitin 2021, krahasuar me vitin 2020, është “Hygeia” me 16.8%.
“Scan Intel” i ka analizuar të ardhurat e spitaleve private edhe me vitin 2019-të për të patur një panoramë më reale sa i përket performancës së tyre gjatë pandemisë. Të dhënat tregojnë se niveli i të ardhurave gjatë vitit 2021 rezulton më i lartë se gjatë vitit 2019-të, madje shifrat sinjalizojnë për një rritje më të lartë se krahasuar me vitin 2020. Kështu, referuar të dhënave, të ardhurat e “Spitalit Amerikan”, krahasuar me vitin 2019-të, janë rritur me 35.8%. Të ardhurat e “Spitalit Gjerman” janë rritur me 106%, ato të spitalit “Salus” me 80.5%, ndërsa “Spitali Kontinental”, “Europian” dhe “Hygeia” i kanë rritur të ardhurat e tyre me 59.3%, 392% dhe 22.1% secili.
Nëse do të flisnim për fitimet neto të spitaleve private të marra në analizë shifrat tregojnë se spitalet “Amerikan”, “Europian” dhe “Hygeia” kanë dalë me humbje përgjatë vitit 2021. “Spitali Amerikan”, sipas të dhënave, i ka thelluar humbjet krahasuar me vitin 2020 me 157%. Humbja për këtë spital llogaritet me 181 mln lekë ose e shprehur na valutë 1.5 mln euro. I dyti me humbjen më të lartë për vitin 2021 rezulton “Spitali Europian” me 112 mln lekë. Megjithatë, krahasuar me vitin 2020, i cili po ashtu regjistronte humbje për këtë spital, rënia është më e ulët, me gati 30.6% për vitin 2021. “Spitali Hygeia” rezulton gjithashtu me humbje me 30 mln lekë, por krahasuar me një vit më parë ku humbjet regjistroheshin në 65 mln lekë, vihet rë një rënie. Me fitim për vitin 2021 regjistrohen spitalet “Gjerman”, “Salus” dhe “Kontinental”. Nga këto tre spitale vetëm “Spitali Gjerman” regjistron rritje të fitimeve, me 544% dhe arrin në 50.1 mln lekë nga 7.7 mln lekë në vitin 2020.
Por si paraqitet tregu i spitaleve private sa i përket të ardhurave dhe fitimeve në total për vitin 2021? Shifrat e përpunuara nga “Scan Intel” tregojnë se të gjashtë spitalet private të përmendura më sipër kanë arritur në total nivel të ardhurash prej 12.5 mld lekësh. E thënë ndryshe të ardhurat e tyre shprehur në valutë regjistrohen në 107.5 mln euro. Nga ana tjetër, nëse do të llogarisnim fitimet e spitaleve përgjatë vitit 2021 vëmë re humbje deri në 194 mln lekë ose 1.6 mln euro. Por si ka ndryshuar totali i të ardhurave dhe i fitimit krahasuar me vitin 2020? Gjatë vitit 2020 në total të gjashtë spitalet llogarisnin në arkat e tyre nivel të ardhurash prej 9.9 mld lekë. Nga një përllogaritje e thjeshtë totali i të ardhurave është rritur me 2.5 mld lekë ose me 25.8% gjatë vitit 2021. Nëse i referohemi ndryshimit të totalit të humbjeve të dhënat tregojnë se gjatë 2020-ës humbjet në total për spitalet private regjistroheshin 344 mln lekë. Nga kjo themi se përgjatë vitit 2021 humbjet në total janë 150 mln lekë më pak se në vitin 2020 ose kanë rënë me 43.7%.
Nëse do ta kalonim fokusin e analizës në performancën e këtyre spitaleve ndër vite shohim se viti 2021 është viti më i artë sa i përket të ardhurave, të paktën që nga viti 2017-të kur “Scan Intel” ka analizuar të dhënat. Shifrat tregojnë se të gjithë spitalet regjistrojnë rritje të të ardhurave të tyre ndër vite. “Spitali Amerikan” kryeson në renditje si spitali me të ardhurat më të larta. I dyti me nivel të lartë të të ardhurave rezulton “Spitali Hygeia”. Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për fitimet e këtyre spitaleve, të shtrira në pesë vite, vemë re se gati të gjithë spitalet private, në të gjithë vitet e marra në studim paraqiten me humbje. Përtej vitit 2021, atë të pandemisë, me fitim, përveç vitit 2018, rezulton “Spitali Gjerman”.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments