Siguria kibernetike është kthyer në një kërcënim serioz në vendin tonë, dhe sinjalet e vazhdueshme të kohëve të fundit kanë kulmuar me sulmin ndaj e-albania dhe webfaqeve qeveritare këtë fundjavë, në atë që nga vetë autoritetet është cilësuar një një sulm i paprecedentë. Por, si vlerësohet siguria kibernetike kombëtare në vendin tonë? “Scan Intel” ka analizuar shifrat e Indeksit të Sigurisë Kibernetike Kombëtare, I cili publikohet nga “Ega”, Akademia e Qeverisjes Elektronike, një organizatë me qendër në Estoni, që ka në fokus pikërisht portalet qeveritare dhe shërbimet publike online, në 160 shtete të botës. Nga ky indeks rezulton se Shqipëria renditet e 68-ta në Botë, ndër 160 shtete sa i përket pikërisht sigurisë kibernetike kombëtare. Indeksi i Sigurisë Kibernetike Kombëtare (NCSI) mat gatishmërinë dhe përgatitjen e shteteve të ndryshme të globit për të parandaluar kërcënimet kibernetike dhe për të menaxhuar incidentet.
Ky indeks është i bazuar mbi 3 shtylla apo kërcënime kryesore; mosaksesimin e shërbimeve publike online (siç është rasti i mosfunksionimit të e-albania), thyerjen e integritetit të të dhënave, si dhe thyerjen e konfidencialitetit të të dhënave (pra ekspozimin e të dhënave). Në rastin e Shqipërisë, pika e parë dhe e tretë janë kërcënime të materializuara, ndërkohë që pika e dytë duket se është jetësuar pikërisht këtë fundjavë.
Në këtë renditje, ku Shqipëria gjendet në vendin e 68-të në botë, pozicionimi nuk na jep aspak avantazhe në kontinentin e vjetër, pasi renditemi ndër 4 vendet e fundit në Europë. Armenia, Mali I Zi dhe Bosnje Hercegovina rezultojnë si të vetmet vende europiane me një rezultat më të dobët se vendi ynë në këtë renditje. Nga ana tjetër, të dhënat I referohen tetorit të vitit 2021, pra përpara sulmit aktual dhe përpara rrjedhjes së të dhënave të pagave të shqiptarëve. Pavarësisht se ky indeks I referohet një periudhe përpara këtyre dy sulmeve, raporti tregon se Shqipëria ka bërë hapa pas në drejtim të sigurisë kibernetike, pasi vitet e kaluara renditej në pozicionin e 63-të apo 65-të në botë.
Sa i përket nën-indikatorëve për vendin tonë, disa prej tyre tregojnë se, në drejtim të analizës së kërcënimeve kibernetike, Shqipëria merr vetëm 1 pikë nga 5, ose vetëm 20%. Edhe sa I përket edukimit dhe zhvillimit profesional rezultati është mjaft I dobët, prej vetëm 11%, ose 1 pikë ndër 9 të tilla. Ndërkohë, sa I përket mbrojtjes së shërbimeve dixhitale Shqipëria grumbullon vetëm 0 pikë nga 5, ose 0%. Në drejtim të menaxhimit të krizave kibernetike Shqipëria grumbullon vetëm 20%, pra vetëm 1 pikë ndër 5 të tilla. Të gjithë këta nën-indikatorë sinjalizojnë se siguria kombëtare në aspektin kibernetik në vendin tonë është e cënueshme ndaj sulmeve të jashtme. Kjo cënueshmëri matet kryesisht nga të dhënat që janë publike, por edhe nga ndihma e palëve të treta, për te evidentuar hallkat e dobëta të sistemit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments