Ekonomi

Shqiptarët “nuk pyesin” për çmimin e karburantit/ 3 në 4 makina të blera këtë vit punojnë me naftë, rritet pesha, “braktisen” makinat me gaz

0

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) japin një panoramë deri diku të qartë të qasjes së shqiptarëve ndaj përdorimit të autoveturave, në një kohë që çmimi i karburantit, sidomos i naftës është rritur me thuajse 50% krahasuar me vitin e kaluar. Të dhënat i referohen 7 muajve të parë të vitit, pra periudhës janar-korrik 2022. “Scan Intel” i ka analizuar imtësisht shifrat, duke bërë një krahasim mes vitit aktual dhe viteve të kaluara, dhe të dhënat janë jo pak surprizuese.

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve, shqiptarët duket se nuk janë trembur aspak dhe vijojnë të blejnë automjete me ritme thuajse të njëjta me vitet e kaluara. Në total, gjatë 7 muajve të parë të vitit në vendin tonë janë regjistruiar 29,127 autovetura të reja. Përgjatë të gjithë vitit të kaluar ndërkohë janë regjistruar rreth 58 mijë. Duke pasur parasysh se dhjetori dhe gushti historikisht janë ndër muajt me regjistrimet më të larta të automjeteve, shifra totale përgjatë vitit mund t`i afrohet edhe niveleve rekord të vitit 2021.

Nga ana tjetër, bien në sy kryesisht shifrat e regjistrimit të autoveturave këtë vit sipas lëndës djegëse. Rreth 73.8% e automjeteve të reja të regjistruara `punojnë` me naftë, dhe kjo peshë këtë vit (për 7-mujorin) është më e lartë edhe se viti i kaluar, kur fiksohej pranë 73.4%. Rritje të ndjeshme ndërkohë kanë regjistruar autoveturat me benzinë, duke prekur një rekord të ri, pranë 16.9% të totalit, nga 15.8% që ishin vjet dhe nga vetëm 12.8% që ishin në 2019-ën. Ndërkohë, paradoksalisht kanë rënë ndjeshëm regjistrimet e reja të autoveturave që punojnë me gaz, ku përfshihen edhe ato vetëm me gaz, edhe ato me benzinë dhe gaz. Këto autovetura përbëjnë vetëm 6.6% të totalit në 7 muajt e parë të këtij viti, nga 9.3% që ishin gjatë të gjithë vitit 2021, 10.7% që ishin në 2020-ën apo 12.8% që ishin në 2019-ën. Pra, pavarësisht faktit se çmimi i gazit në tregun me pakicë qëndron aktualisht në nivele thuajse 3 herë më të ulta se çmimi i naftës, shqiptarët jo vetëm që vijonë të preferojnë makinat me naftë, por e kanë thelluar edhe më shumë këtë preferencë krahasuar me vitin e kaluar. Nga ana tjetër, shifrat tregojnë një rritje të konsiderueshme të makinave hibride. Gjatë 7 muajve të këtij viti janë regjistruar rreth 438 autovetura të tilla, thuajse 3 herë më shumë se viti 2019 dhe ai 2020 të marrë së bashku. Gjatë të 12 muajve të vitit 2021 ndërkohë regjistroheshin 561 autovetura të tilla. Përgjatë këtij viti, rreth 1.5% e regjistrimeve të reja janë makina hibride, nga vetëm 1% që ishin një vit më parë, apo 0.4% në 2020-ën dhe vetëm 0.07% në 2019-ën. Gjithsesi, kjo rritje e peshës së makinave hibride në vendin tonë mbi totalin është edhe rrjedhojë e zhvillimit të ndjeshëm të teknologjisë së autoveturave të tilla në nivel global gjatë viteve të fundit, gjë të cilën e tregon edhe ecuria e regjistrimeve përgjatë viteve të kaluara, pra përpara krizës së çmimit të karburanteve.

Nga shifrat e mjeteve bie në sy edhe fakti se në 7 muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar rreth 3 mijë motora, nga rreth 4 mijë që ishin në total gjatë të gjithë vitit të kaluar. Në rast se e njëjta tendencë do të vijojë edhe për 5 muajt e mbetur të vitit, shifra projektohet të kalojë 5 mijë motora të regjistruar.

Pra, thënë më thjeshtë, shqiptarët duket se nuk po pyesin shumë për çmimin e naftës, pasi i preferojnë edhe më shumë se më parë makinat që `punojnë` me të, edhe pse çmimi i naftës në tregun me pakicë në pjesën më të madhe të këtij viti ka qenë dhe vijon të mbetet dhjetra lekë më i lartë se çmimi i benzinës dhe gati 3 herë më i lartë se çmimi i gazit. Edhe preferenca për makinat elektrike vijon të mbetet e ulët, paçka se është vënë re një rritje e lehtë e makinave hibride.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet pengojnë tregtinë, por jo turistët/ Bie volumi i mallrave me 28.1%, pasagjerët dhe fluturimet me rritje për korrikun

Postimi mëparshëm

Korriku pakëson kursimet në bankë/ Depozitat bien me rreth 5 milionë euro. Në 7 muaj “avulluan” 6 miliardë lekë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.