Covid-19 është shpërndarë tashmë në çdo cep të territorit të Republikës. “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më datën 23 nëntor për të zbuluar se cilat janë qarqet e vendit me shpërndarjen më të madhe të virusit e cilat janë ato me më pak raste për 1 mijë banorë. Nga përpunimi i të dhënave rezulton se kryeqyteti është ai me përhapjen më të madhe të virusit, me 9.33 raste aktive për 1 mijë banorë. Qarku i dytë ndërkohë me përhapjen më të madhe të virusit në popullatë, me 7.89 raste për 1 mijë banorë është qarku i Gjirokastrës, i cili gjatë ditëve të fundit ka regjistruar me dhjetra raste ditore, duke bërë që të kthehet edhe në qarkun e dytë më problematik në vend. Nga jugu, shkojmë në veri, me Lezhën që mban vendin e tretë si qarku me më shumë raste aktive për 1 mijë banorë, 5.61 raste. Klasifikimi vijon me Kukësin, Shkodrën, Vlorën, Fierin, dhe Beratin. Ndërkohë, në krahun tjetër të tabelës, kemi qarqet me më pak raste për 1 mijë banorë, dhe surprizon fakti se Durrësi me Elbasanin, që janë edhe qarku i dytë dhe i katërt me popullsinë më të madhe në vend, janë ndër tre vendet e fundit. Përkatësisht, Durrësi numëron 4.2 raste për 1 mijë banorë dhe Elbasani vetëm 2.97 të tilla. Në vend të fundit të tabelës ndërkohë, kemi Dibrën, me vetëm 1.3 raste për 1 mijë banorë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments