Ky sezon veror, për këdo që ka pasur mundsëinë të bëjë pushime në Shqipëri, ka qenë i mbingarkuar me pushues. Por, të dhënat më të fundit për hyrjet e shtetasve në vendin tonë tregojnë se, sezoni turistik 2021 nuk ka regjistruar dot një rekord. Shifrat tregojnë për një fluks hyrjesh poshtë nivelit të vitit 2019, atë para pandemisë. Kështu, gjatë periudhës qershor-gusht të vitit 2021, hyrjet e shtetasve gjithsej ishin 4.77 milionë, ndërkohë që në vitin 2019 ishin rreth 5 milionë, pra një diferencë prej rreth 289 mijë individësh, ose rënie më 5.7%. Por, duket se pjesa më e madhe e këtij deficiti turistësh është nxitur më shumë nga shtetasit shqiptarë se ata të huaj. Të huajt gjithsej që hynë në vendin tonë gjatë muajve qershor-korrik-gusht ishin rreth 3.3 milionë, ndërkohë që në vitin 2019 ishin 3.36 milionë, pra rreth 63 mijë më pak. Pra, nga rreth 290 mijë turistë të munguar krahasuar me vitin 2019, atë para pandemisë, vetëm 63 mijë janë të huaj, ndërkohë që pjesa tjetër, prej më shumë se 200 mijë turistësh, mund të themi se janë emigrantë shqiptarë të cilët nuk janë rikthyer në atdhe për pushime këtë vit.
Por, një e dhënë tjetër nga shifrat e publikuara nga Instat, dhe të përpunuara nga “Scan Intelligence Unit” ndër vite, tregojnë se, numri i shtetasve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë gjatë periudhës qershor-gusht të këtij viti ka prekur një rekord historik, duke u rritur me 208 mijë krahasuar me vitin 2019, ose me rreth 14.5%. Kështu, gjatë kësaj periudhe kohore, në vendin tonë kanë hyrë 1.65 milionë turistë nga Kosova, nga rreth 1.44 milionë që ishin hyrjet gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2019, para pandemisë.
Pavarësisht kësaj rritje të ndjeshme, flukset e larta të turistëve nga Kosova nuk ja kanë dalë të zhbëjnë deficitin e shkaktuar nga mosardhja e emigrantëve shqiptarë për pushime në vendin e tyre, që mund të jetë edhe rrjedhojë e masave ende në fuqi në vendet ku ata janë rezidentë, si pasojë e pandemisë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments