EkonomiFinancë

Dështimi i ndërmarrjeve publike, – Miliona euro humbje në vit, kryeson “Hekurudha Shqiptare”, me mbi 16 mln euro humbje. Pandemia, “goditja e fundit”

0

“Scan Intelligence Unit” është ndalur kësaj here te ndërmarrjet shtetërore, duke bërë një analizë të thelluar mbi numrin e tyre, statusin, të ardhurat apo fitimet. Nga analiza e të dhënave në qendrën kombëtare të biznesit rezulton se janë rreth 80 ndërmarrje ku qeveria shqiptare është aksionere, dhe në 42 prej tyre është aksionere me 100% të aksioneve. Në analizë janë marrë vetëm ndërmarrjet të cilat kanë statusin aktiv apo në likuidim e sipër, duke eleminuar ato të ç`regjistruara apo të pezulluara. Nga këto 80 ndërmarrje, 73 janë në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, por emërtimi ndryshon në varësi të vitit, pasi ka ndryshuar edhe emërtimi i ministrive. Vetëm 7 janë në pronësi të ministrive të tjera, ku mbizotëron Ministria e Energjetikës. Ministria e Kulturës, ajo e Mbrojtjes si dhe Ministria e Turizmit figurojnë me nga një ndërmarrje.

Mes këtyre, janë marrë në analizë bilancet, ku për një pjesë të madhe nuk janë dorëzuar ende, apo nuk e kanë detyrim. Për vitin 2020, ndërmarrjet shtetërore rezultojnë në një fitim neto në territor negativ, prej rreth 2.7 mld lekësh, ose rreth 22 milionë euro hubmje. Për vitin 2019, sërish fitimet janë në territor negativ, dhe bëhet fjalë për një humbje prej 850 miliionë lekësh, ose rreth 7 milionë euro. Në 2019-ën janë rreth 45, ndërmarrjet të cilat kanë dorëzuar një bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa në vitin 2020, vetëm 30. Duke pasur parasysh dicka të tillë, dhe ecurinë e vitit 2020 si pasojë e pandemisë, atëherë humbjet për 2020-ën mund të jenë edhe më të larta.

Por cilat janë ndëmarrjet shtetërore të cilat shënojnë humbjet më të mëdha, e për rrjedhojë i peshojnë buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë? Të dhënat janë përpunuar për vitin 2019, duke qenë se ka më shumë të dhëna. Në vend të parë gjejmë “Operatorin e Sistemit të Transmetimit”, me rreth 634 milionë lekë humbje, ose rreth 5.2 milionë euro humbje. Më pas ndjek “Hekurudha Shqiptare”, me rreth 3.38 milionë euro humbje, si dhe “Albcontrol” me rreth 2.3 milionë euro humbje. Humbje të ndjeshme raporton edhe “Albgaz”, prej rreth 1.63 milionë eurosh për vitin 2020. Të 4-ta këto kompani janë 100% shtetërore, dhe 3 prej tyre kanë si aksionere të vetme Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Për dy prej tyre, më saktë “Hekurudhën Shqiptare” dhe “Albcontrol”, bilancet janë publike edhe për vitin 2020, dhe vëmë re një rritje drastike të humbjeve. Në rastin e “Hekurudhës Shqiptare”, humbjet janë rritur me thuajse 5-fish, duke shkuar në rreth 2 miliardë lekë, ose rreth 16.8 milionë euro. Edhe për “Albcontrol” vihet re një rritje e ndjeshme e humbjeve për vitin 2020, atë të pandemisë, nga 2.3 milionë euro, në rreth 3.7 milionë euro. Këto shifra sinjalizojnë se për vitin 2020, totali i humbjeve do të jetë thelluar edhe më tej për kompanitë me pronësi shtetërore, të plotë ose të pjesshme.

Tani të shohim kompanitë shtetërore të cilat janë me fitim në bilanc. Në vend të parë gjejmë “Postën Shqiptare”, me rreth 3.5 milionë euro fitim për vitin 2019, ndërkohë që nuk ka ende bilanc të dorëzuar për vitin 2020. Në vend të dytë gjejmë “Elbasan Cement”, me rreth 1.77 milionë euro fitime. Por, në këtë kompani, qeveria shqiptare zotëron vetëm 20% të aksioneve. “Shtypshkronja e letrave me vlerë” renditet në vendin e tretë, me rreth 740 mijë euro fitime neto për vitin 2019. Janë vetëm 21 kompani nga 80-të, të cilat rezultojnë me fitim për vitin 2019, ndërkohë që një pjesë e madhe prej tyre kanë kaluar në humbje vitin pasardhës, atë të pandemisë, më saktësisht 7 prej tyre. Madje, te kompanitë me fitim neto në bilanc, nga 21 në total, vetëm 8 prej tyre janë kompani 100% shtetërore, ose 38% e tyre. Në rastin e kompanive me humbje ndërkohë, vëmë re se, 69% e tyre janë kompani 100% shtetërore, çka sinjalizon më së miri impaktin e menaxhimit shtetëror në këto kompani, disa prej të cilave me peshë në jetën e qytetarëve.

Shifrat flasin qartë, menaxhimi shtetëror i kompanive nuk është efikas, dhe humbjet shkojnë në dhjetra miliona euro, ku në krye të listës gjejmë një kompani si “Hekurudha Shqiptare”, e cila raporton mbi 16 milionë euro humbje në vit, për një shërbim thuajse inekzistent, dhe që për më tepër peshon mbi taksapaguesit shqiptarë. Një menaxhim më i përshtatshëm i tyre, ose një strategji e mirëmenduar privatizimi, jo vetëm që do të përmirësonte shërbimin e tyre ndaj qytetarëve, por do të kishte edhe më pak impakt në buxhetin e shtetit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sezoni veror nuk e “mposhti” dot 2019-ën, – 289 mijë turistë më pak hynë në vend, mungojnë emigrantët. Rekord turistësh nga Kosova

Postimi mëparshëm

Shtëpitë private rikthehen në “modë”, – 72.7% e familjeve nuk jetojnë në apartament, rritet norma nga 2018 në 2019

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.