Aktiviteti i kompanive të cilat operojnë me rritjen e pulave dhe prodhimin e vezëve kohët e fundit po përballet me rrezikun që vjen nga gripi i shpendëve. Ky grip rezulton të jetë përhapur me shpejtësi dhe në vendin tonë që prej datës 19 mars, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në këtë sektor. Duke ditur se veza është ndër produktet bazë të shportës, “Scan Intelligence Unit” ka realizuar një analizë të përgjithshmë për të parë vlerën e këtij tregu në vendin tonë, por gjithashtu për të kuptuar dhe peshën që ka secila kompani. Janë 20 kompani të prodhimit të vezëve në total të marra në analizë dhe që kanë të depozituara të dhëna të rregullta.
Sipas pasqyrave financiare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se të ardhurat totale të 20 operatorëve kryesorë të vezëve, për vitin 2020, janë rreth 3.4 mld lekë ose e shprehur në valutë 28.1 mln euro. Theksojmë se viti 2020 është viti i fundit kur këto kompani kanë dorëzuar bilancet e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Të dhënat tregojnë se kompania me nivelin më të lartë të të ardhurave për vitin 2020 është “AIBA” me 1.1 mld lekë ose 9.3 mln euro. Kjo kompani ka dhe peshën më të madhe në total, duke zënë 33.2%, pra kontrollon 1/3 e tregut, pavarësisht se del me humbje. E dyta në renditje për nga niveli i të ardhuarave për vitin 2020 është “Agro-Alko SHPK” me 437 mln lekë dhe ndiqet nga “Rea’s” me 364 mln lekë, dhe “BEATA” me të ardhura të gjeneruara deri në 322 mln lekë. Kompania “Agro-Alko SHPK” zë 12.5% të totalit të të ardhurave, ndërsa “REA’S” zë 10.6%. Këto 4 komani së bashku kontrollojnë rreth 65% të këtij tregu në vendin tonë. Për vitin 2020, shifrat tregojnë se kompania e cila renditet në fund për nga niveli i të ardhurave është “Ariana Faci” me 6,1 mln lekë.
Nëse do të flisinim për fitimet e kompanive të renditura më sipër, përgjatë vitit 2020, të dhënat tregojnë se totali i fitimeve paraqitet në vlerën e 44.9 mln lekë ose 370 mijë euro. Nëse po të njejtat kompani do t’i rendisnim sipas fitimit, situata nuk paraqitet e njejtë si në rastin e të ardhurave. Kompania “AIBA” gjatë vitit 2020 regjistron humbje me rreth 13.2 mln lekë, ose 109 mijë euro. Me humbje po ashtu regjistrohet edhe “Pularia Korça”, me rreth 684 mijë lekë. Ndër kompanitë që regjistron fitimin më të madh gjatë vitit 2020, e para regjistrohet “Ovvital” me 15 mln lekë, ndjekur nga “Agro-Alko SHPK” me 8.6 mln lekë dhe “COCOAL” me rreth 8.5 mln lekë.
“Scan Intelligence Unit” po ashtu ka analizuar ndryshimet vjetore të të ardhurave të këtyre kompanive, krahasuar me vitin 2019-të. Nga të dhënat rezulton se të adhurat e operatorëve kryesorë të vezëve, në total janë rritur me 8.4%, krahasuar me vitin 2019-të. Rritjen më të madhe të të ardhuarve e regjistron kompania “Veza Savio” me 535.3%, ndjekur nga “Butrinti Ferm” me 125.4% dhe “BEATA” me 48.2. “Veza e Mëngjesit”, “COCOAL” dhe “AIBA” po ashtu regjistrojnë rritje të të ardhurave me 28.1%, 21.8% dhe 16.8% respektivisht. Rënien më të madhe të të ardhurave e regjistron “A-K-KANINA” me 22.4% dhe “ZDR FARM” me 37.6%.
Nëse do të flisnim për totalin e fitimit, shifrat tregojnë se krahasuar me vitin 2019-të, ky tregues ka pësuar rënie me 38.2%. Rënien më të madhe të fitimeve e ka pësuar “Pularia Korça” me 348%, ndjekur nga “AIBA” me 176%. Nga ana tjetër kompania “FREDI” regjistron rritjen me të lartë të fitimeve, krahasuar me vitin 2019-të, me 427.9%. Po ashtu me rritje vjetore të fitimeve paraqiten “ Veza Savio” me 89.7%, “BEATA” me 37.2%, dhe “COCOAL” me 19.4%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments