Gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, shqiptarët kanë tërhequr më pak para se muaji paraardhës nëpër pikat ATM, tregojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Të dhënat flasin kështu për rreth 18.08 mld lekë të tërhequra cash, ose rreth 146 mln euro, nga rreth 18.86 mld lekë që ishin në muajin tetor. Rënia fiksohet në rreth 780 milionë lekë më pak, ose rreth 6.3 mln euro, që e përkthyer në përqindje fiskohet në 4.13% ulje.
Shifra është më e ulta që prej korrikut të vitit të kaluar, si dhe e para në rënie, po prej muajit korrik. Në rënie regjistrohet edhe numri i transaksioneve nëpër pikat ATM. Por, rënia e transaksioneve është më e ulët se ajo e vlerës së tërhequr. Kjo do të thotë se gjatë nëntorit, vlera mesatare e tërhequr në një transaksion nëpër pikat ATM në vendin tonë ka qenë prej 13 mijë e 200 lekësh, nga rreth 12 mijë e 900 lekë që ishte gjatë muajit paraardhës.
Të dhënat e tremujorit të tretë të vitit ndërkohë, tregojnë se në qarkullim ka pasur rreth 1.27 milionë karta në qarkullim. Në të dhënat e raportuara nga Banka e Shqipërisë për tërheqjet nëpër pikat ATM nuk klasifikohen vetëm kartat e lëshuara nga bankat që operojnë në vendin tonë, por edhe nga të huajt apo emigrantët të cilët tërheqin cash me karta nga bankat e huaja.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments