Rreth dy muaj më parë, në fillim të shtatorit të këtij viti, aleatët u tërhoqën përfundimisht nga Afganistani, duke ngjallur edhe shumë debat në opinionin publik, në lidhje me një luftë që zgjati plot 20 vite dhe ku kostot nuk e justifikuan rezultatin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësohet se kanë shpenzuar diçka më shumë se 2 trilionë dollarë në këtë luftë. Edhe Shqipëria ka qenë e pranishme në Afganistan me misione të ndryshme vit pas viti. Por, sa ka shpenzuar Shqipëria në Afganistan? “Scan Intelligence Unit” ka kërkuar informacion shtesë nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me kostot e misioneve në Afganistan ndër vite, duke qenë se një informacion i tillë nuk është publik, paçka se bëhet fjalë për shpenzime nga buxheti i shtetit. Përgjigja e Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me kostot e misioneve në Afganistan nuk ka qenë shterruese, pasi përfshin vetëm 7 vitet e fundit, por jep një panoramë të qartë të “faturës” së luftës në Afganistan për Shqipërinë.
Kështu, shifrat tregojnë se, që pej vitit 2015, deri në vitin 2021, mesatarja e shpenzimeve të shtetit shqiptar në Afganistan nëpërmjet misioneve të ndryshme, fiksohet në 3.4 milionë euro. Shifra më e ulët regjistrohet në vitin 2015, me vetëm 200.3 milionë lekë, ose reth 1.63 milionë euro. Deri në vitin 2019, kjo shifër është rritur në mënyrë progresive, për të kulmuar në vitin 2019, me 755.5 milionë lekë, ose rreth 6.14 milionë euro. Në vitin 2020 është regjistruar një rënie e ndjeshme e kostove, duke zbritur në 445.4 milionë lekë, ose 3.61 milionë euro. Sa i përket vitit aktual, ku tashmë Shqipëria është e tërhequr plotësisht, plani vjetor flet për 436 milionë lekë, ose 3.54 milionë euro. Për 6 muajt e parë të këtij viti, realizimi i shpenzimeve fiksohet në 154 milionë lekë, ose 1.25 milionë euro. Pavarësisht tërheqjes në shtator, kjo shifër është e destinuar të rritet.
Pra, bazuar në shifrat e 7 viteve të fundit, qeveria shqiptare ka kanalizuar mesatarisht rreth 3.4 milionë euro në vit në misionet e saj në luftën në Afganistan. E përkthyer në shifra më të thjeshta, kjo do të thotë rreth 1.2 euro për banor në vit.
Kujtojmë se Shqipëria ka qenë e pranishme në Afganistan me misione të ndryshme që prej vitit 2002. Pra, në këtë “faturë” mungojnë edhe 13 vite të tjera shpenzim, për të cilat Ministria e Mbrojtjes e ka të pamundur të ofrojë të dhëna. Në rast se shpenzimet do të kishin qenë të njëjta me mesataren e 7 viteve të fundit, edhe për 13 vitet paraardhëse, atëherë, kosto totale e faturës së luftës së Shqipërisë në Afganistan do të fiksohej pranë 68 milionë eurove, ose 24 euro për frymë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments