Ekonomi

Rritja e çmimeve “frenon” tregtinë e jashtme/ Eksport+Import bien me 8.3% në volum gjatë majit, por vlejnë 246 mln euro më shumë se vjet

0

Shifrat e tregtisë së jashtme vijojnë të jenë të fryra nga rritja e ndjeshme e çmimeve në nivel global. Kështu, të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se, eksportet shqiptare gjatë majit arritën në 45 mld lekë, në rritje me 36.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe me 6.9% krahasuar me muajin prill të këtij viti. Nga ana tjetër, importet fiksohen në 80 mld lekë, në rritje me 28.6% krahasuar me marsin 2021 dhe me 2.3% krahasuar me prillin 2022. Defiçiti tregtar është rritur me 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit pararendës.

Përgjatë 5 muajve të parë të këtij viti në total ndërkohë, eksportet rezultojnë 46% më të larta në vlerë se një vit më parë dhe importet 27.1% më të larta.

Ashtu si edhe gjatë muajve të kaluar, rritja e eksporteve dhe importeve është udhëhequr nga grupet që kanë pasur edhe rritjen më të ndjeshme të çmimeve. Sa i përket eksporteve, shifrat tregojnë se gjatë majit, kontributin më të madh në rritje e kanë dhënë grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 13,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 9,1 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,7 pikë përqindje. Sa i përket importeve ndërkohë, shifrat tregojnë se rritja është ndikuar nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 8,9 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 5,0 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 4,5 pikë përqindje.

“Scan Intel” i ka analizuar shifrat e tregtisë së jashtme edhe në volum, për t`i “zhveshur” disi nga efekti i inflacionit. Po t`i krahasojmë shifrat e tregtisë së jashtme gjatë majit të këtij viti, me ato të majit të vitit të kaluar në volum, vëmë re se kemi të bëjmë me rënie. Kështu, në total, volumi i shkëmbimeve tregtare gjatë majit të këtij viti, pra import+eksport së bashku fiksohet pranë 811 mijë tonëve, nga 885 mijë ton të një viti më parë, çka përkthehet në 8.3% rënie. Vetëm eksportet ndërkohë, rezultojnë në 3.08% rënie në volum krahasuar me majin e 2021-shit, ndërkohë që importet rezultojnë në 12.7% rënie.

Pra, në tërësi, shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave sinjalizojnë se, rritja e çmimeve ka frenuar importin e mallrave dhe disi më pak eksportin e produkteve “Made in Albania”, por, pavarësisht kësaj, përfitimet kanë qenë më të larta. Në total, gjatë majit të këtij viti, në vlerë tregtia e jashtme ka prekur një shifër prej 246 milionë eurosh më të lartë se maji i vitit të kaluar.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shërbimet dhe të mirat rrisin shitjet, punën e pagat/ “Lulëzojnë” hotelet dhe agjencitë e udhëtimit, rritja deri në 108.8%

Postimi mëparshëm

Moody`s “skanon” ekonominë shqiptare/ “E varur nga bujqësia, turizmi, moti. Të rinjtë e arsimuar do vazhdojnë të largohen”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.