Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, prezantoi emrat që do të jenë në kabinetin e ri qeveritar për mandatin e tretë qeverisës. Qeveria e ardhshme ka në përbërjen e tij emra të cilat kanë qenë në krye të ministrive edhe katërvjeçarin e kaluar, pra Rama ka zgjedhur të vijojë punën me një pjesë të mirë të ministrave aktualë. Krahasuar me mandatin e kaluar, qeveria ka ruajtur të njëjtën strukturë, megjithëse me disa andryshime të ministrive pa portofol. Ajo që bie në sy në kabinetin e ri është numri i ministreve femra më i lartë se ai i meshkujve. Gjatë mandatit paraardhës 2017-2021, kryeministri Rama emëroi numër të barabartë ministrash burra dhe gra, duke u përpjekur kështu që të ruajë barazinë gjinore. Megjithatë duket se këtë mandat, kabineti është i dominuar nga gjinia femër.
“Scan Intelligence Unit” ka marrë në analizë kabinetin e ri dhe atë të kaluar për të parë se si ka ndryshuar mosha mesatare. Paçka se disa emra janë rikonfirmuar në qeverinë Rama 3, edhe pse katër vite më të plakur, prurjet e reja kanë bërë që mosha mesatare e kabinetit të jetë pothuajse e njëjta, duke mos pësuar ndryshim. Mosha mesatare e qeverisë së vitit 2017 llogaritet në 44.5 vjeç. Theksojmë se në studim janë marrë emrat e ministrave të emëruar në fillim të mandatit të viti 2017, pa ndryshimet e kryera më vonë. Mosha mesatare e qeverisë së re, e llogaritur nga “Scan Intelligence Unit” është 44.53 vjeç. Edhe pse me diferenca fare të vogla, mosha mesatare e qeverisë Rama 3 është më e plakur se kabineti paraardhës. Mosha më e lartë në kabinetin e ri qeveritar është 58 vjeç, ndërsa mosha më e re është 31 vjeç.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments