Barometri Ekonomik

Publikohet “Barometri Ekonomik Scan”/ Indeksi i Besimit Konsumator bie në 39.5 pikë, falë situatës aktuale

0

“Scan Media” ka publikuar edicionin e 4-tët të “Barometrit Ekonomik & Indeksit të Besimit Konsumator Scan”, që i referohet tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Sa i përket Indeksit të Besimit Konsumator, ai fiksohet pranë 39.5 pikëve, duke qëndruar në territor negativ, pasi niveli i 50 pikëve ndan rritjen nga kontraktimi. Gjithashtu, indeksi i përgjithshëm rezulton 0.6 pikë nën nivelin e tremujorit pararendës, kur fiksohej në 40.1 pikë. Indeksi i Besimit Konsumator bazohet mbi 6 nën-indikatorë, dhe 5 prej tyre regjistrojnë rënie krahasuar me edicionin paraardhës. Vetëm ai i pritshmërive për situatën ekonomike të vendit ka pësuar një rritje të lehtë.

Nëse analizojmë secilën prej pyetjeve të përfshira në indeks, vihet re se në perceptimin e konsumatorit shqiptar, pritshmëria e situatës financiare në 12 muajt e ardhshme ka vlerësimin më të lartë/pozitiv, duke arritur kështu rreth 52.6 pikë nga 100 të mundshme. E dyta renditet pritshmëria për situatën e përgjithshme ekonomike të vendit në 12 muajt e ardhshëm (48.4 pikë nga 100), pasuar nga pritshmëritë e nivelit të papunësisë gjatë vitit në vazhdim me 45.0 pikë nga 100. Kur analizojmë situatën aktuale, atë financiare të familjes, por edhe situatën e përgjithshme të vendit krahasuar me 12 muaj më parë, shikojmë një indeks më të ulët. Respektivisht 41.0 pikë për situatën financiare aktuale të familjes dhe 35.4 pikë për situatën e përgjithshme të vendit aktualisht, krahasuar me 12 muaj më parë. Kur pyeten nëse tani është momenti i duhur për të bërë blerje të mëdha, ky indeks arrin një vlerësim prej vetëm 14.6 pikë nga 100 të mundshme. Gjithashtu, ky nën-indikator për herë të parë ka pësuar një rënie krahasuar me 3 edicionet e mëparshme, kur fiksohej pranë 15.1 pikëve.

Rënia më e ndjeshme vihet re në situatën aktuale të vendit, ku indeksi aktual ka rënë nga 37.2 pikë në 35.4 pikë. Nga ana tjetër, sa i përket pritshmërive, për financat familjare nuk paraqiten ndryshime të ndjeshme, e ndërsa për situatën ekonomike të vendit indeksi ka një rritje të lehtë nga 47.8 pikë në 48.4 pikë.

Nën-indikatori i pritjeeve, që grupon tre nën-indikatorët e grupit të pritshmërive rezulton pranë 48.7 pikëve, zbulon “Barometri Ekonomik Scan”, me një rritje prej vetëm 0.1 pikësh krahasuar me tremujorin pararendës, ndërkohë që ai i aktualitetit grumbullon vetëm 30.4 pikë, nga 31.5 pikë që ishte në edicionin e 3-të, çka tregon se për të ardhmen shqiptarët duken më optimistë se sa kur pyeten për situatën aktuale.

“Barometri Ekonomik Scan” është një publikim periodik, tremujor, i cili vjen në formën e një ankete gjithëpërfshirëse ndaj 1 mijë individëve dhe që prek aspekte të ndryshme të jetesës së familjeve shqiptare, që nga kursimet, blerjet, kënaqësia me nivelin e jetesës, e deri te dëshira për të emigruar, etj, etj. Raportin e plotë mund ta gjeni në webfaqen “scan-tv.com”.

KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Albtelecom” kalon te hungarezët e “4iG”/ Por, turqit nuk largohen, blejnë aksione te kompania mëmë, edhe qeveria shqiptare ruan 16.25% të aksioneve

Postimi mëparshëm

55% e shqiptarëve nuk kursejnë dot/ Barometri Ekonomik Scan: Përkeqësohen edhe pritshmëritë për të ardhmen

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.