Programi qeverisës i një mazhorance në fillim të mandatit të saj është dokumenti më i rëndësishëm mbi të cilin do të bazohet qeverisja 4-vjeçare. Tashmë, shumica e mandatuar nga zgjedhjet e 25 prillit, me Kryeministër Edi Ramën e ka bërë publik këtë dokument. “Scan Intelligence Unit” ka vendosur ta analizojë në një aspekt tjetër përbërjen e tij, duke parë se si janë përdorur fjalët, cilat më shumë e cilat më pak, me qëllimin për të kuptuar sadopak vëmendjen e politikave qeverisëse të 4-vjeçarit të ri. Nga përpunimi i të dhënave janë eleminuar nga programi fjalë lidhëse, ndajfolje, etj. E nisim këtë analizë me 10 fjalët më të përdorura në programin qeverisës të mazhorancës. Në llogaritje janë marrë bazët e fjalës, pra të gjitha trajtat dhe kohët e saj, brenda të njëjtit kontekst. Cila fjalë rezulton të jetë ajo më e përdorura? Shqipëria! Plot 142 herë. Ndiqet nga “ekonomia”, 57 herë, “shëndetësia” 49 herë, “qytetar” 41 herë dhe “turizmi” 39 herë. Lista e 10 fjalëve më të përdorura në programin e ri vijon me “biznes”, “paga”, “investim”, “zhvillim” dhe “infrastructure”. Ndër 10 fjalët më të përdorura, 6 prej tyre kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ekonominë. Dhjetë fjalët e para, të renditura sipas frekuencës së përdorimit janë fjalët më të përdorura në tekstin e dokumentit, me përjashtim të lidhësave, ndajfoljeve, foljeve. Ndërkohë, më poshtë do të shohim frekuencën e përdorimit të disa fjalëve kyçe, në pamundësi për të paraqitur grafikisht të gjitha fjalët e përdorura në tekst.
Diçka tjetër që bie në sy nga kjo analizë është fakti se, viti “2013” është përdorur ekzaktësisht sa viti “2022”, plot 24 herë secili numër, paçka se mazhoranca është në mandatin e 3-të qeverisës. Për të kuptuar peshën e së ardhmes dhe të shkuarës në këtë program, të shohim edhe foljet “ishte” me “do të jetë”, ku e para përmendet 16 herë dhe e dyta vetëm 11 herë. Fjala e “ardhme” ndërkohë përmendet vetëm 13 herë.
Disa fjalë të tjera që bien në sy nga përpunimi i të dhënave janë edhe: “falas”, plot 17 herë, “reforma”, 26 herë, “inovacion”, vetëm 7 herë, apo “mjedis”, sërish 7 herë. Mjedisi morri një vëmendje të veçantë nga kryeministri Rama në fjalën e tij në seancën parlamentare të prezantimit të programit qeverisës. Fjala “industri” ndërkohë nuk përmendet qoftë një herë të vetme.
Fjala “opozitë” përmendet zero herë, ndërsa fjala bashkëpunim 12 herë, asnjëherë në kontesktin e bashkëpunimit me pakicën. Një tjetër detaj që bie në sy është përdorimi i fjalës “integrim” vetëm 4 herë dhe i “Ballkanit të Hapur” 3 herë.
Fjala “fermer” përdoret vetëm 2 herë, ndërsa “bujqësia” 6 herë, paçka se bëhet fjalë për një prej shtyllave kryesore të ekonomisë shqiptare. Edhe “agro-turizmi”, një prej drejtimeve që ka marrë më shumë vëmendje gjatë viteve të fundit, përmendet vetëm 4 herë. “Pension” apo “pensionist” përmenden 14 herë, ndërkohë që duket se fjala “pronë/pronar” thuajse është zhdukur nga programi, duke u përmendur vetëm 2 herë.
Sa i përket arsimit si sektor, fjala arsim në vetvete përmendet 23 herë, por fjalët student/studim, vetëm 9 herë. Në drejtim të shëndetësisë, e përmendur plot 49 herë si e tillë, vëmë re edhe përdorimin e fjalës “pandemi”, 21 herë apo “covid”, 3 herë. Fjala “rindërtim” ndërkohë është përmendur vetëm 8 herë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments