“Agjencia Europiane e Statistikave”, ka publikuar raportin e rrezikut të varfërisë apo përjashtimit social, këtë herë për personat me aftësi të kufizuar. Këto të dhëna, të analizuara nga “Scan Intelligence Unit” tregojnë së gjatë vitit 2020, rreth 29% e popullsisë se Bashkimit Europian, së moshës 16 vjeç e lart, me aftësi të kufizuar, janë në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social.
Publikimi, gjithashtu, jep të dhëna për vendin tonë, referuar vitit 2019, pasi të dhënat për vitin 2020 nuk janë përditësuar ende. Mes vendeve të Europës, për vitin 2019, Shqipëria dhe Bullgaria, kanë përqindjen më të lartë të personave me aftësi të kufizuar, të cilët janë në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social. Si Shqipëria, ashtu dhe Bullgaria regjistrojnë të njejtën përqindje, pra 51.3%. Kjo shifër është rreth 22.9 pikë përqindje më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria po ashtu renditet e para me përqindjen më të lartë. Ndiqemi nga Maqedonia e Veriut, me 50.7%, e cila është e treta mes vendeve të Europës. Serbia e regjistron këtë tregues në 42.6%, ndërsa Mali i Zi, 31.8%, duke shënuar përqindjen më të ulët mes vendeve të rajonit.
Sa i përket shteteve anëtare të Bashkimit Europian, përveç Bullgarisë, për vitin 2019, kanë regjistruar përqindjen më të lartë të personave me aftësi të kufizuar që janë në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social, shtete si Letonia, Estonia, Lituania dhe Irlanda. Sllovakia, Danimarka, dhe Austria janë vendet që kanë dhe përqindjen më të ulët të këtij treguesi.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments