Provimet e maturës shtetërore janë një fazë e rëndësishme në jetën e secilit maturant, pasi kjo është faza e kalimit të tyre në një stad tjetër. Ky stad lidhet pikërisht me kalimin në një fushë më specifike, e cila shndërrohet në të ardhmen në profesionin që ata duan të ushtrojnë. Për të arritur degën e preferuar në universitet, së pari maturantëve u duhet të arrijnë rezultate të mira në provimet e maturës, si në lëndët me detyrim ashtu dhe në lëndët me zgjedhje. Po si kanë qenë rezultatet e maturantëve, sa ngelësa dhe kalues ka patur për lëndët e detyrueshme, sa nga ata kanë marrë notën maksimale për secilën lëndë? “Scan Intelligence Unit” ka analizuar rezultatet e maturës për lëndët me detyrim që nga viti 2016 deri në vitin 2021 për të kuptuar se cila lëndë regjistron më shumë kalues, cila më shumë ngelës dhe në cilën lëndë janë marrë më shumë nota maksimale. Duhet theksuar se këto të dhëna varen edhe nga numri gjithsej i maturantëve për secilin vit, por gjithashtu dhe nga numri i përsëritësve që vijnë nga vitet e tjera. Rezultatet e vitit 2021 marrin një oeshë specifike të veçantë edhe për faktin se mësimi nën pandeminë ngre shumë pikëpyetje dhe sfida.
Duke marrë parasysh që jemi akoma nën ndikimet e pandemisë, le të analizojmë si fillim rezultatet e maturës së vitit 2020 dhe vitit 2021 për lëndën e matematikës, lëndën e gjuhës e letërsisë si dhe rezultatet për gjuhën e huaj. Nga të dhënat shohim se, viti 2020 rezulton të ketë më pak ngelës se vitet e tjera dhe sidomos në lëndën e matematikës. 680 ngelës janë regjistruar në viitn 2020 për lendën e matematikës, ndërkohë që viti 2021 regjistron 3018 ngelës. Vitet e tjera nga viti 2016 deri në vitin 2019 përsëri regjistrojnë një numër më të madh ngelësish për këtë lëndë, ku viti 2016 regjistron dhe numrin më të lartë, me 5046. Për vitin 2021, ngelësit në matematikë në raport me kaluesit janë në një raport 1:10, nga 1:7 në 2016, dhe në letërsi, 1:16, nga 1:46 në 2016. Për kategorinë e gjuhës së huaj vihet re diferenca më e madhe ndër vite, ku në 2021 ngelësit me kaluesit janë në një raport 1:14, ndërkohë që në 2016 ishin 1:60. Pra, sa i përket këtij treguesi, ngeljeve, 2021 ka qenë më tolerant me matematikën dhe ndjeshëm më pak tolerant me gjuhën shqipe/letërsinë, si dhe gjuhën e huaj. Ky rezultat mund të jetë edhe rrjedhojë e ndryshimit të metodologjisë së pikëzimit për lëndën e matematikës, rrjedhojë e protestave të maturantëve. Ndryshe nga viti 2020, gjatë vitit 2021 ndikimi i pandemisë vërehet më qartë, duke qenë se ky ka qenë i vetmi vit me mësimin “jo normal” në të gjithë kohëzgjatjen e tij. Po të marrim në analizë të gjitha të dhënat për kategorinë “ngelës” shohim se lënda në të cilën ngelin më shumë maturantët shqiptarë është lënda e matematikës. Provimi i matematikës është më i vështirë se të tjerët, maturantët shqiptarë nuk janë të mirë në shkenca ekzakte, apo mësuesit e matematikës nuk janë të nivelit të duhur?
Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për maturantët kalues, viti 2016 është viti që regjistron më shumë kalues, sidomos për lëndën e "Gjuhës dhe Letërsisë" dhe për lëndën e "Gjuhës së huaj". Kjo pasi viti 2016 regjistron dhe më shumë numër maturantësh gjithsej se vitet e tjera.
Pavarësisht se lënda e matematikës regjistron numrin më të madh të ngelësve, të dhënat tregojnë se për këtë lëndë maturantët që marrin notën 10 ( të cilën e kemi marrë nga 9.50 deri në 10.0) janë më të shumtë në numër se në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Lënda e anglishtes regjistron numrin më të lartë të maturantëve që marrin notën 10 në të gjitha vitet, por viti 2016 përsëri regjistron numrin më të madh. Kjo dhe për shkak të numrit gjithsej që përmendëm më lart. Lënda e gjuhës shqipe dhe letërsisë ka më pak studentë që vlerësohën me notën 10. Në të gjitha vitet, që nga 2016-ta dhe deri në vitin 2020, shohim se kjo lëndë regjistron numrin më të vogël të 10-ve të marra. Viti që regjistron dhe numrin më të ulët është vitit 2017 me 221 dhjeta të marra gjithsej vetëm në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Për të lënë pas secilën lëndë, le të shohim se në cilin vit janë marrë më shumë dhjeta. Viti 2021 regjistron më shumë nota maksimale të mara se vitet e tjera, kjo pasi u ndryshua metodologjia e llogaritjes së notës për shkak të protestës së maturantëve për lëndën e matematikës. Viti 2020 regjistron më pak dhjeta se vitet e tjera, duke e bërë të dukshëm ndikimin e pandemisë. Të dhëat e analizuara dhe përpunuara nga "Scan Intelligence Unit" tregojnë se, për vitin 2021, raporti nxënës ngelës me nxënës 10-te në lëndën e matematikës ka qenë 1:1.65 nga 1:4.84 që ishtë në 2016, ndërsa për "gjuhë shqipe, letërsi", ka zbritur në 1:1.2 nga 1:2.26 që ishte 5 vite më parë. Kjo do të thotë se, në harkun e 5 viteve, hendeku nxënës të mirë/nxënës të dobët është ngushtuar ndjeshëm, ndoshta edhe rrjedhojë e pandemisë dhe mësimit të alternuar.
Po ta kalojmë analizën te nota mesatare del se gjuha e huaj regjistron notën mesatare më të lartë, e cila është nota 8, ndërsa lënda e matematikës regjistron notën mesatare më të ulët, e cila është dhe nota 6. Viti që regjistron mesataren më të ulët se vitet e tjera, është viti 2019 me një mesatare 6.3 për të tre lëndët e detyrueshme. Nëse do të shihnim notën e shkallëzuar mesatare, atëherë themi se mesataren më të ulët e ka patur lënda e matematikës me 5.87 në vitin 2016.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments