Analiza e “Scan Intelligence Unit” mbi ndikimin që ka patur pandemia në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, është ndalur këtë herë te performanca financiare e disa prej hoteleve kryesore në Tiranë. Përmes të dhënave të “Qendrës Kombëtare të Biznesit”, do të shohim konkretisht se në cilat nivele ka qenë ndikimi i pandemisë për vitin 2020 në sektorin e hotelerisë. Në analizë janë marrë 7 ndër (shtatë) hotelet më të mëdha në Tiranë si, “The PLAZA”, “MAK Albania”, “MONDIAL”, “HILTON GARDEN”, “CLASSIC Hotel”, “DORO CITY”, si dhe “GRAND Hotel”. Në analizë nuk figurojnë disa hotele të tjera të rëndësishme në kryeqytet, për shkak të problematikave në bilanc, kryesisht me mosdorëzimin e tyre. Nëse do të nisemi nga analiza e xhiros vjetore për vitin 2020, Hotel “PLAZA” regjistron nivelin më të lartë të tyre, me 387 mln lekë, ose e shprehur në euro gati 3.2 mln euro. “PLAZA” ndiqet nga hotel “MONDIAL”, me 48.4 mln lekë dhe “HILTON GARDEN” me 38 mln lekë. Të ardhurat më të ulta për vitin 2020, i regjistron “GRAND” Hotel, me gati 8.5 mln lekë. Po të analizojmë ndryshimin e xhiros vjetore, krahasuar me vitin paraardhës, të gjitha hotelet e përmendura më lartë kanë shënuar rënie në nivelin e tyre të të ardhurave. Rënien më të madhe e regjistron “HILTON GARDEN” me -83.1%, ndjekur nga “DORO CITY” me -73.5%. Rënia më e ulët shihet në të ardhurat e “CLASSIC Hotel” me -40.7%.
Nga analiza e “Scan Intelligence Unit” mbi fitimet e hoteleve të lartpërmendura, shihet se viti i pandemisë i ka nxjerrë thuajse të gjithë hotelet e marra në studim me humbje, përvec “MAK Albania”, me fitime deri në 22 mln lekë, dhe “DORO CITY” Hotel, i cili regjistron fitim minimal, në nivelin e 62.2 mijë lekëve. Këto janë dy hotelet e vetme ndër më të rëndësishmit në Tiranë që ja kanë dalë të shmangin humbjet. Humbjen më të madhe për vitin 2020 e regjistron “PLAZA” me 68.9 mln lekë, ndërkohë që gjatë vitit 2019 fitimet e saj regjistroheshin në 40.6 mln lekë dhe ishte dhe niveli më i lartë i fitimeve për 2019-ën nga të gjitha hotelet e marra në studim. Pasqyra financiare tregon se “MAK Albania” hotel, është i vetmi hotel, i cili krahasuar me vitin 2019 shënon rritje në nivelin e fitimit, me 157.8%. Duhet marrë parasysh se ky hotel është i ri në treg, pas largimit të "Sheraton" dhe marrjes së kontrollit nga "Kastrati Group".
Këto të dhëna, mbështeten gjithashtu dhe nga raportet e "Institutit të Statistikave" mbi strukturat akomoduese. Viti i pandemisë e ka dëmtuar rëndë sektorin e hotelerisë, pasi ka rënë numri i vizitorëve, por edhe numri i netë qëndrimeve.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments