Të ardhurat për frymë në vendin tonë, fiksohen në 302 euro, sipas parimit të medianës, thotë publikimi më i fundit i Eurostat, që i referohet vitit 2018. Duke qenë se periudha pas 2018-ës, si pasojë e dy krizave që kanë goditur vendin nuk pritet të ketë sjellë një ndryshim të kësaj vlere, ajo mund të cilësohet si ende aktuale. Kjo është hera e parë që Eurostat e përfshin Shqipërinë në këtë publikim, i cili vjen në formën e një ankete dhe që publikohet çdo 4 vite. Krahasuar me vendet e tjera europiane të marra në analizë, Shqipëria është në vend të fundit, pa asnjë rivalitet. Duhet theksuar se, në analizë mungojnë të gjitha vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Serbisë, si edhe një sërë vendesh të Europës lindore. Parimi i medianës ndërkohë i referohet të mesmes dhe jo mesatares, çka në aspektin metodologjik e bën edhe më të vlefshëm vlerën e të ardhurave për frymë, prej 302 eurosh në muaj për frymë në vendin tonë.
Por si është kjo shifër krahasuar me vendet e tjera të Europës? Krahasuar me Zvicrën, e cila në Europë është në vend të parë, një shqiptar që jeton e punon në Shqipëri fiton 18.6 herë më pak në muaj. Një shqiptar do të fitonte 9.6 herë më shumë në muaj në rast se do të punonte në Gjermani, ndërsa në Itali rreth 7 herë më shumë. Serbia dhe Bullgaria janë të fundit në këtë renditje, me serbët që fitojnë “vetëm” 1.7 herë më shumë se shqiptarët, dhe bullgarët rreth 1.46 herë më shumë, tregojnë shirat zyrtare nga Eurostat.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments