Raporte

Në Shqipëri ka 40 mijë zotërues kriptovalutash/ Përbëjnë 1.43% të popullsisë, renditemi të dytët në rajon, pas Serbisë

0

Në Shqipëri janë rreth 40,348 zotërues kriptovalutash në total, që përfaqësojnë rreth 1.43% të popullsisë gjithsej. Pra, rreth 1 në 70 individë në vendin tonë zotëron kriptovaluta. Këto të dhëna dalin në pah nga shifrat e përditësuara të “triple-a”, që është një prej burimeve më të besueshme në nivel global sa i përket kriptovalutave, dhe që merret në referencë edhe nga shumë organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, si Organizata e Kombeve të Bashkuara. Këto të dhëna i referohen vitit 2021 dhe i përkasin pjesës dërrmuese të shteteve të botës, përfshirë vendin tonë.

Gjatë vitit 2020 ndërkohë, numri i zotëruesve të kriptovalutave në vendin tonë fiksohej pranë rreth 28 mijë, çka do të thotë se në harkun e një viti ka pasur një rritje prej 41.3% të tyre.
Por, ajo që bie më së shumti në sy është renditja e Shqipërisë krahasuar me vendet e tjera, kryesisht ato të Europës dhe të rajonit. Në nivel rajoni, Shqipëria renditet e dyta pas Serbisë sa i përket peshës së zotëruesve të kriptovalutave mbi popullsinë në total. Serbia e vendit të parë në rajon numëron rreth 127 mijë zotërues kriptovalutash, e barabartë me 1.86% të popullsisë. Më pas ndjek Shqipëria me 1.43%, Bosnje Hercegovina me 1.39%, ose rreth 48 mijë zotërues, Mali i Zi me 1.29%, ose 7.973 zotërues, dhe Maqedonia e Veriut në vend të fundit, me 1.26% të popullsisë, ose 26.705 zotërues. Kosova ndërkohë mungon në këtë renditje.

Në nivel global, në vend të parë renditet Vietnami, me rreth 20% të popullsisë që zotëron kriptovaluta, ose rreth 20 milionë individë, ndjekur nga Ukraina me rreth 15% të popullsisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rreth 13%, Afrika e Jugut me rreth 12% dhe Kenya me rreth 11%. Në nivel të pëgjithshëm ndërkohë, në të gjithë botën numërohen rreth 320 milionë përdorues kriptovalutash me një mesatare zotërimi mbi popullsinë prej rreth 4.2%. Pavarësisht faktit se kjo normë në vendin tonë është nën mesataren globale, Shqipëria lë pas në renditje jo vetëm një pjesë të madhe të vendeve të rajonit, por edhe shtete si Danimarka, Monako, Malta, Luksemburgu etj.

Një raport i `Chainalysis` i disa kohëve më parë, që i referohej vitit 2020 tregonte se në vendin tonë zotëruesit e kriptovalutave kanë një portofol prej më shumë se 6 miliardë dollarësh. Pavarësisht rritjes së ndjeshme të përdoruese në vitin 2021, me rreth 41%, si pasojë e rënies së vlerës së kriptovalutave në nivel të gjerë, sidomos gjatë këtij viti, ky portofol me shumë gjasa vlerësohet të jetë tkurrur.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Performanca e bankave/ Gjysma e parë e vitit, rriten shpenzimet, pakësohen të ardhurat

Postimi mëparshëm

Lindjet, “presion” popullsisë/ Rënie në 10 qarqe nga 12. Vlora, Gjirokastra, Lezha, rezultatin më negativ

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.