Ekonomi

Në “apel” mungojnë 2.2 mln turistë, – Rënie me 20.1% e hyrjeve, krahasuar me 2019-ën. Emigrantët na lënë në “baltë”

0

Rivendosja e masave kufizuese në kuadër të parandalimit të shpërndarjes së covid-19 dhe mutacioneve të reja, ka dhënë impakt në shifrat e turistëve në vendin tonë gjatë muajit nëntor. Kështu, të dhënat për hyrjet e shtetsave gjatë muajit të kaluar tregojnë se në total në një muaj në vendin tonë hynë 548 mijë shtetas. Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar kjo shifër është 54.3% më e lartë. Por, një vit më parë pandemia ka qenë prezente dhe po ashtu masat kufizuese. Në rast se këtë shifër do ta krahasonim me nëntorin e vitit 2019, pra periudhën para pandemisë, atëherë do të vëmë re se turistët në vend kanë rënë me 20.9%. Por, kjo rënie e flukseve hyrëse duket se është ndikuar kryesisht nga hyrjet e shtetasve shqiptarë, kryesisht emigrant që rikthehen në atdhe. Këta të fundit gjatë nëntorit të këtij viti kanë qenë 304 mijë, 28.4% më pak se nëntori i vitit 2019. Hyrjet e shtetsave të huaj ndërkohë kanë qenë 244 mijë, ose 8.99% më pak se e njëjta periudhë e dy viteve më parë. Krahasuar me një vit më parë ndërkohë, të huajt që kanë hyrë në vendin tonë janë rritur me rreth 64%, tregojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave.

Përgjatë 11 muajve të këtij viti ndërkohë, hyrjet gjithsej të turistëve në vendin tonë kanë qenë rreth 8.9 milionë, nga 11.1 milionë që ishin në vitin 2019, në rënie me 20.1%. Në “apel” turizmit këtë vit i mungojnë 2.2 milionë turistë krahasuar me periudhën para pandemisë. Edhe këtu, ndikimin më të madh e kanë pasur emigrantët, pasi ndër të huajt, mungojnë vetëm 696 mijë turistë, ndërsa mes shqiptarëve, rreth 1.5 milionë turistë.

Nga ana tjetër, po t`i shohim shifrat sipas sheteve, si gjatë nëtorit të këtij viti, ashtu edhe përgjatë 11-mujorit, vëmë re një rritje të ndjeshme të turistëve nga Kosova. Për 11 muajt e parë të këtij viti, hyrjet e shtetasve nga Kosova në vendin tonë kanë qenë rreth 2.5 milionë, ndërkohë që para pandemisë, në 11-mujorin e 2019-ës, ishin vetëm 2.1 milionë, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave. Sa i përket turistëve nga Maqedonia e Veriut, vihet re një rënie domethënëse e hyrjeve përgjatë këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Më shumë mjete rrugore në 2020-ën/ Rriten me 7.6% mjetet në qarkullim, “Benzi” vijon të mbetet “mbreti” i rrugës në Shqipëri

Postimi mëparshëm

Më shumë të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri/ Numri i personave të parregullt në rritje për vitin 2020, shifra më e lartë që nga 2015-ta

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.