Studime

Mosha mesatare e kandidatëve sipas partive. “PD” dhe “PS”, më të plakurat, “Thurje” dhe “LN” vijnë me rekorde, një 17 vjeçar dhe një 80 vjeçar

0

Veç programeve politike, të cilat duket se këto zgjedhje do të mungojnë nga partitë kryesore në vend, listat e kandidatëve janë “arma” tjetër me të cilën entitetet politike garojnë. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar me imtësi të gjitha listat e kandidatëve të 6 prej formacioneve kryesore politike në garë më 25 prill, për të kuptuar diçka më shumë rreth profilit të tyre. Mosha mesatare dhe shpërndarja e grupmoshave sipas grupimit politik dhe qarkut, do të jetë në fokusin tonë dhe rezultatet e kësaj analize nxjerrin në pah të dhëna mjaft interesante, jo vetëm sa i përket moshës mesatare të “ekipit” të secilës parti, por edhe moshën mesatare për secilin qark, kandidatët më të rinj e ata më të vjetër, peshën më të madhe të nën-30 vjeçarëve, etj, etj. Të dhënat janë analizuar në momentin që partitë kanë bërë depozitimin e listave pranë KQZ, si dhe janë rishikuar në bazë të rregullimeve që i janë bërë më tej, nga partitë, me kërkesë të autoritetit rregullator të zgjedhjeve.

“PD” dhe “PS” me formacionet më të “plakura”, “Thurje” me më të riun

Le të fillojmë nga mosha mesatare sipas grupimeve politike. “Formacioni” më i plakur duket të jetë ai i Partisë Demokratike, me një moshë mesatare prej 45.8 vitesh. Më pas ndjek Partia Socialiste, me një moshë mesatare prej 44.82 vitesh. Lëvizja Socialiste për Integrim ndjek me një moshë mesatare prej 40.4 vitesh, ndërkohë që në vend të katërt kemi Bindjen Demokratike me një moshë në 34.47 vjeç. Dy “formacionet” më të reja të rreshtuara në “fushën” e kësaj gare janë ato të “Lëvizjes për Ndryshim”, me 32.34 vite mbi “supe” mesatarisht dhe “Thurje” që kurorëzohet si grupimi politik me listën më të re në këtë garë, me vetëm 30.12 vite. Kjo do të thotë se, për këtë “ekip”, mosha mesatare sinjalizon një listë kandidatësh të lindur pas rënies së regjimit komunist. Dy partitë më të mëdha në vend, PD dhe PS ndërkohë ofrojnë një panoramë shumë të ngjashme me njëra tjetrën, jo vetëm sa i përket moshës mesatare, por edhe moshës më te re dhe asaj më të vjetër në listë. Të dyja partitë garojnë me moshën 22 vjeçare si më të renë e listës, ndërkohë që ndahen te mosha më madhore, me PD-në në 76 vjeç dhe PS-në në 79 vjeç, respektivisht me Sali Berishën dhe Luljeta Bozon.

Nën 30-vjeçarët, si renditen paritë?

Me 104 të listuar si kandidatë për zgjedhjet e 25 prillit, të cilët nuk janë më shumë se 30 vjeç, “Lëvizja për Ndryshim” është në vend të parë në renditjen e peshës së kësaj grupmoshe mbi totalin, me plot 56.2% përfaqësim në lista. Më pas ndjek “Thurje” me 55.5% dhe “Bindja Demokratike” me 50.6%. LSI përfaqësohet në lista me 27.4% të kandidatëve nën 30 vjeç, Ps me 11.7%, ndërsa PD mban edhe këtu vendin e fundit me vetëm 10.5%.

Një 17 vjeçar në lista, në të njëjtën parti me më të moshuarën e 25 prillit

“Lëvizja për Ndryshim” e drejtuar nga ish kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli mban një rekord disi paradoksal në këto lista, pasi përfaqësohet si me më të riun e listave ashtu edhe me më të moshuarin. Agron Demushi i cili kandidohet në Kukës, është vetëm 17 vjeç, kandidati më i ri në këto zgjedhje. Në rast se zgjidhet, Agroni do të duhet të presë deri më 25 Shtator të këtij viti për t`u pajisur me patentë makine. Edhe kandidati më i vjetër i listës i takon pikërisht partisë në fjalë, dhe ajo është Meri Lalaj, e lindur në fillim të luftës së dytë botërore në Pogradec, më saktësisht më 27 prill të 1940-ës. Meri Lalaj është kandidate në qarkun e Tiranës.

Mosha mesatare sipas qarkut

Po sipas qarqeve ku janë kandidatët më të rinj e më të vjetër në moshë? Qarku i Fierit duket se ka kandidatët më të moshuar, me një mesatare prej 41.1 vite nga të gjitha grupimet politike të analizuara, ndërsa ai i Kukësit ka më të rinjtë, me një moshë mesatare prej 33.6 vitesh. Ndërkohë, ekipi më i “plakur” është ai i Partisë Demokratike në Gjirokastër, me një moshë mesatare në 54.4 vite. Më të rinjtë ndërkohë, janë në Vlorë e Gjirokastër, me rreth 26 vite mbi supe, dhe garojnë nën siglën e “Thurje” dhe “Binda Demokratike”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Karburantet dhe kafja, rekord importesh. Prekin nivelin më të lartë që prej 2012-ës gjatë marsit, bien cigaret

Postimi mëparshëm

Statistika për zgjedhjet parlamentare 2021

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.