“Scan Intel” ka siguruar ekskluzivisht raportin periodik të agjencisë së vlerësimit të kreditit Moody`s për vendin tonë. Nuk bëhet fjalë për një veprim mbi notën e borxhit, por vetëm për një analizë mbi ekonominë dhe financat shqiptare në tërësi. Agjencia ka rishikuar në rënie projeksionet për rritjen ekonomike të vendit këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Për vitin aktual, projeksionet e reja flasin për 3.4% rritje, nga 4.5% që ishin parashikimet në muajin mars. Pavarësisht këtyre projeksioneve, agjencia thekson se këto parashikime janë shumë të pasigurta, si pasojë e zhvillimeve të papritura, sidomos në skenën ndërkombëtare, me konfliktin Rusi-Ukrainë në zhvillim e sipër.
Sipas `Moody`s`, ekonomia dhe financiat shqiptare janë të varura nga 3 sektorë: Bujqësia, Turizmi dhe Energjia. Çdo ngadalësim në njërin prej këtyre sektorëve do të sillte ngadalësim të ekonomisë në tërësi si dhe përkeqësim të financave publike, e për rrjedhojë edhe të notës së vlerësimit të borxhit sovran, aktualisht në “B1 – me perspektivë të qendrueshme”.
Ekspozimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë vlerësohet i ulët nga agjencia, që shton se, pavarësisht kësaj, një zgjerim i mundshëm i konfliktit, me përfshirjen eventuale të NATO-s, padiskutim që do të kishte impakt në ekonominë shqiptare.
Një vëmendje të veçantë në raportin e gjigandit të vlerësimit të kreditit, `Moody`s`, marrin edhe kontratat e Partneritetit Publik Privat (PPP). “Mbështetja në rritje e autoriteteve ndaj skemave të Partneritetit Publik Privat për të nxitur investimet paraqet rreziqe fiskale. Stoku i PPP-ve vlerësohet të jetë rritur ne 50% të PBB-së gjatë vitit 2021, nga rreth 33% që ishte kjo normë në vitin 2018”-nënvizon agjencia.
“Rreziqet kryesore fiskale të Shqipërisë lidhen me importin e energjisë elektrike, të varur nga kushtet atmosferike, detyrimet e prapambetura që rrjedhin nga sektori energjetik, rikthimi i pronave të ish-pronarëve, si dhe nga skemat e Partneritetit Publik Privat”-nënvizon mes të tjerash agjencia.
Sa i përket sektorit të turizmit, agjencia nënvizon se, deri në vitin 2028 pritet që të përfaqësojë 33% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, por se nga ana tjetër, ky objektiv dhe potencial është i varur nga një pengesë madhore; parashikimet për mungesa të mëdha të krahut të punës në ndërtim dhe shërbimet turistike. Edhe elementët demografikë, si tkurrja e popullsisë, pritet të kenë impakt domethënës në ngadalësimin ekonomik të vendit gjatë 3 dekadave në vijim. Sipas `Moody`s`, deri në vitin 2050, popullsia e Shqipërisë do të tkurret me një hap prej 0.5% çdo vit mesatarisht, ndërkohë që forca aktive e punës do të tkurret mesatarisht me 0.6% çdo vit, deri në 2050-ën.
“Shqipëria me shumë gjasa do të vijojë të përjetojë migrim neto dalës të ndjeshëm. Norma e migracionit neto u rrit nga 0.6% e popullsisë në 2011-tën, në 1.2% në 2021-shin. Më të rinjtë dhe më të mirëarsimuarit me shumë gjasa do të vijojnë të përbëjnë bërthamën e emigrantëve, duke sjellë edhe një mungesë të profesionistëve. Impakti negativ i emigrimit zbutet disi nga vëllimi i lartë i remitancave”-nënvizon mes të tjerash agjencia.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments