Stoku i investimeve të huaja direkte gjermane në Shqipëri është në rritje për të 9-tin tremujor me radhë, referuar të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti. Por, shifrat e analizuara me hollësi tregojnë një panoramë tjetër. Deri në këtë periudhë kohore, bëhet fjalë për 183 milionë euro. “Scan Intelligence Unit” do t`i analizojë më tej këto shifra, për të kuptuar pozitat reale të sipërmarrjeve gjermane në vendin tonë, sidomos krahasuar me vendet e tjera partnere. Shifra prej 183 milionë eurosh e stokut të investimeve të huaja direkte gjermane në vendin tonë, e vendos Gjermaninë në vendin e 11-të në listën e investitorëve më të mëdhenj në vend sipas shteteve të origjinës. Madje, Gjermania vjen pas në renditje edhe ndaj vendeve si Qipro apo Bullgaria. Vetëm stoku i investimeve të huaja bullgare në vendin tonë është rreth 4.2 herë më i madh se i atyre gjermane, sinjalizojnë shifat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të përpunuara nga “Scan Intelligence Unit”.
Ndërkohë, do të shohim tendencën e të gjitha shteteve sipas ecurisë ndër vite, për të kuptuar se ku qëndron Gjermania. Krahasimi është bërë mes tremujorit të parë 2014 dhe tremujorit të parë 2021, pra për një hark kohor 7-vjeçar. Gjatë kësaj periudhe kohore, stoku i investimeve të huaja direkte gjermane në Shqipëri është rritur me vetëm 63%. Kjo shifër është mjaft e ulët krahasuar me venden e tjera, apo edhe me mesataren e rritjes së IHD në total, që fiksohet pranë 122%. Pra, gjatë kësaj periudhe, investimet gjermane në Shqipëri janë rritur me një hap dy herë më të ulët se totali. Në analizë janë marrë të 34 shtetet me investimet më të mëdha direkte në vend, dhe ndër to, Gejrmania renditet e 25-ta sa i përket rritjes së investimeve këto 7 vite. Në vend të parë renditet Rumania, me një rritje prej 14.600%, e ndjekur nga Bullgaria me mbi 6000%, si dhe Belgjika me 2481%. Ndër ekonomitë e zhvilluara, vetëm Austria, Kanadaja, Japonia dhe Greqia regjistrojnë një rritje më të ulët se Gjermania të investimeve të huaja direkte në vend, përgjatë periudhës 2014-2021.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments