Komisioni Europian ka publikuar raportin përmbyllës të vlerësimit të programit të reformave ekonomike për Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate për t`u bërë pjesë e unionit. Në kapitullin dedikuar Shqipërisë, Komisioni në raport e vendos theksin në disa pika kyçe ku duhet të ketë ndërhyrje nga ana e autoriteteve shqiptare, edhe në kontekstin e kohës. Pas një vlerësimi të gjerë të progresit me reformat ekonomike për t`u bërë pjesë e Bashkimit Europian, në fund Komisioni jep edhe 6 rekomandime kyç për vendin tonë. Së pari, Komisioni i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të përdorin hapësirën fiskale në dispozicion për këtë vit për të amortizuar impaktin potencial të goditjeve të mundshme në ekonomike, duke shënjestruar familjet në nevojë dhe sektorin privat, të planifikojë kornizën buxhetore në afat-mesëm dhe të ulë gradualisht normën e borxhit publik. Mes reshtave, edhe në rekomandimet finale por edhe në vlerësimin e përgjithshëm, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian i bën thirrje qeverisë shqiptare të bëjë një planifikim fiskal më të qendrueshëm dhe të mos rishikojë shpesh buxhetin vjetor.
Rekomandimi i dytë i referohet një strategjie për të përmirësuar menaxhimin e investimeve publike dhe skemave të partneritetit publik privat, si dhe rritjes së shpenzimeve për edukimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe Kërkimin & Zhvillimin ndaj totalit të shpenzimeve publike. Pika e tretë e rekomandimeve ka të bëjë me situatën aktuale, ku Komisioni Europian i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vlerësojë dhe analizojë me kujdes zhvillimet e çmimeve dhe të qëndrojnë në gatishmëri për shtrëngimin e politikave monetare, në mënyrë që të ruhet stabiliteti i çmimeve. Ky rekomandim përfshin edhe disa direktiva për deurizmimin e ekonomisë shqiptare, dhe për favorizimin e përdorimit të monedhës vendase. Pika numër 4 i referohet forcimit të mbështetjes ndaj biznesit, për të përmirësuar aksesin në financim dhe njohuritë sipërmarrëse. Gjithashtu, Komisioni Europian e vendos gjerësisht theksin edhe te lufta anti-infrmalitet. Rekomandimi numër 5 ndërkohë vjen si një thirrje për të finalizuar, më bashkëpunim me të gjitha ministritë dhe agjencitë e linjës, një plan implementimi të garancisë për të rinjtë, duke adresuar mungesat në tregun e punës, vlerësojë hendekun e aftësive në nivel kombëtar..
Mes reshtave në raport, institucioni e vendos së tepërmi theksin në këtë pikë, pra mungesën e krahut të punës të kualifikuar, mungesën e një lidhje të drejtpërdrejtë mes institucioneve të arsimit të lartë dhe tregut të punës. Pika numër 6 ndërkohë i referohet përfitimeve të ndihmës ekonomike, dhe ngritjen e mekanizmit për indeksimin e tyre vjetor që prej vitit 2023. Përtej 6 rekomandimeve, një vëmendje të veçantë në raport merr edhe mbrojtja mjaft e ulët sociale në vendin tonë me mungesa mjaft të mëdha dhe shpenzime të ulta, si dhe shërbimi shëndetësor. Sa i përket mbrotjes sociale, Komisioni Europian vlerëson se në vendin tonë është i mangët.
“Mangësia e shërbimit të kujdesit social është një pengesë për përfshirjen aktive të individëve vulnerabël. Ndër 430 mijë përfitues të mbrojtjes sociale në vitin 2021, 56% morrën pagesën e asistencës, 34% të paaftësisë dhe vetëm 10%, ose 1.5% e popullsisë përfitoi nga shërbimet sociale. Kjo tregon se, shërbimet sociale në shqipëri janë të mangëta edhe për njerëzit me paaftësi apo vulnerbaël, jo më popullatën e përgjithshme”-thotë mes reshtave institucioni.
Sa i përket shërbimit shëndetësor, në Shqipëri është i nënfinancuar dhe ka një pjesë të konsideueshme të popullsisë së pasiguruar. “Janë rreth 600 mijë invididë të pasiguruar, ose 21% e popullsisë, kryesisht punonjës informalë, grupet me të ardhura të ulta, minoritetet, dhe njerëzit që jetojnë në zonat rurale dhe periferike. Pagesat nga xhepi në shëndetësi kufizojnë aksesin në këtë shërbim, dhe shpenzimet e ulta publike kanë bërë që familjet shqiptare të mbështeten ndaj pagesave nga xhepi për të marrë shërbimin shëndetësor, dhe pjesa më e madhe e tyre është tërësisht informale.
Mungesa e konsiderueshme e mjekëve mund të minojë aksesin në shërbimin shëndetësor në vitet në vijim. Shqipëria ka raportin më të ulët, mes vendeve kandidate, të mjekëve në popullsi. Emigrimi i mjekëve po rritet si pasojë e pagave të ulta, kushteve jo të favorshme të punës dhe pasiguritë sociale dhe të punës, përfshirë këtu një numër të lartë padish gjyqësore”-thotë mes reshtave Komisioni Europian, që duket se ngre alarmin për shëndetësinë dhe mborjtjen sociale, duke “shënjestruar” sektorët ku ka nevojë për ndërhyrje.
(KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE))
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments