Ekonomi

Inflacioni prek tjetër rekord, në 6.7%/ Rritja e çmimeve “mbërthen” të gjitha grupet, nga transporti, te vaji, bulmeti, mishi, peshku

0

Norma e inflacionit në vendin tonë është ngjitur edhe më tej gjatë muajit maj, pranë 6.7%, tregojnë të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave sa i përket indeksit të çmimeve të konsumit. Kështu, rezulton se në majin e këtij viti, çmimet e konsumit kanë qenë 6.7% më të larta se në majin e një viti më parë. Në terma mujorë ndërkohë, rezulton se gjatë majit, çmimet kanë qenë -0.5% më të lira se në muajin prill. Kjo rënie e çmimeve gjatë majit, krahasuar me muajin prill ka ardhur pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve të hidrokarbureve, të cilat sjellin një efekt zinxhir në ekonomi.

Kujtojmë se një muaj më parë, pra në prill të këtij viti, inflacioni fiksohej pranë 6.2% Ndërkohë, norma prej 6.7% e inflacionit gjatë majit rezulton të jetë më e larta që prej marsit të vitit 2002, kur fiksohej pranë 7.5%, sinjalizojnë shifrat zyrtare, të përpunuara dhe analizuara nga “Scan intel”.

Sipas Instat, ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve në terma vjetorë gjatë majit e ka dhënë grupi: “ushqime dhe pije joalkoolike”, me plot 4.01 pikë përqindje, ndjekur nga “transporti”, me 1.21 pikë pëqindje. Asnjë prej grupeve kryesore nuk ka dhënë kontribut negativ në normën e inflacionit gjatë majit.

Nga ana tjetër, sa i përket ndryshimit të çmimeve sipas grupeve kryesore, shifrat e Institutit të Statistikave sinjalizojnë se, rritjen më të lartë e regjistron transporti, me 21.7%, ndjekur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 11.4%, “hotele, kafene dhe ristorante” me 5.3%, “pije alkoolike dhe duhan” me 5%. Asnjë prej grupeve kryesore nuk ka regjistruar stanjacion apo rënie të çmimeve gjatë majit.

Brenda ushqimeve ndërkohë vëmë re se vajrat dhe yndyrnat janë shtrenjtuar me 29.1% krahasuar me majin e 2021-shit, buka me 18.6%, bulmetërat me 18.4%, sheqernat me 15%, perimet me 13%, mishi me 7.8% dhe peshku me 7.2%. Ndërkohë, ajo që bie në sy nga shifrat është fakti se frutat janë bërë 7,5% më të lira se një vit më parë. Veç peshkut, edhe produkte si uji, pijet joalkoolike, kafja regjistrojnë gjatq majit nje shtrenjtim ndjeshëm më të lartë se muajt paraardhës.

Ndërkaq, vijon të bjerë në sy edhe një fakt tjetër nga indeksi i çmimeve të konsumit, ashtu si muajt paraardhës; grupi “lëndë djegëse dhe energji”, ku përfshihen hidrokarburet drejtpërdrejtë, rezulton vetëm 5.2% më i shtrenjtë se një vit më parë.

Nga ana tjetër, shifrat tregojnë se, krahasuar me prillin, gjatë majit të këtij viti, ushqimet kanë qenë 1.8% më të lira në total, me tkurrjen e udhëhequr nga zarzavatet dhe frutat, në rënie me rreth 11% dhe 5%. Rritje të ndjeshme ndërkohë raportojnë vajrat, me 5.7%, peshku me 3.5%, uji mineral dhe pijet e buta, me 1.6% dhe sheqernat me 1.4%. Sa i përket lëndëve djegëse dhe energjsië elektrike, edhe në terma mujorë bie në sy shifra, pasi rezulton se çmimet nuk kanë ndryshuar fare krahasuar me muajin prill, pra në rritje me 0%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pastrimi i parave, Shqipëria “kalon klasën”/ Moneyval: Përmirësim dhe progres në disa aspekte kyçe, ka arritur pritshmëritë tona

Postimi mëparshëm

Pushimet verore, krahasimi i Shqipërisë me Europën/ Çmimet e akomodimit, jemi më të lirët. Greqia, Franca, Spanja, më të shtrenjtat

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.